“Kur u zgjuam nga gjumi e morëm vesh që shoku Luli e kishte me të futur”, deputeti i PD: Basha nuk i ka 11 votat që thotë në Kuvend

24/01/2024 12:07

Deputeti demokrat, Sajmir Korreshi tha sot se jo të gjithë deputetët që janë rreshtuar në krah të Bashës do të bashkojnë votat me Partinë Socialiste për të votuar reformën zgjedhore.

Gjatë një interviste në emisionin “Breaking” në Top News me Fiori Dardhën, ai nuk i kurseu ironitë për liderin e PD-së.

Mendoni se PD do t’i bashkojë votat me Ramën në Kuvend për reformën zgjedhore, pavarësisht qëndrimit të pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës?

-Këtë nuk di ta them. Ndoshta një pjesë po, por një pjesë tjetër për sa i njoh jo. Ende nuk ka ndonjë platformë. Platforma që ka hedhur shoku Luli ende nuk ka gjetur konsensus. Duhet parë edhe platforma që do të nxjerrë e majta. Pse e majta duhet të shfuqizojë të vetën? Kur hyn në negociata shoku Luli gjithmonë ka dështuar.

Si e thërrisni?

-Shoku Luli. E kemi pasur shok skuadre dikur.

Një miqësi e prishur?

-Ka qenë miqësi me të futur që në fillim. Ne të shkretët vetëm kur u zgjuam nga gjumi e morëm vesh. Por gjithsesi rruga është e gjatë përpara.

Kjo tregon për një sens naiviteti nga ana juaj…

-Absolutisht se kur hyn në një skuadër mendon se 11 lojtarët luajnë të gjithë njësoj. Edhe kur blihen, blihen 2-3, nuk blihet e gjithë skuadra. Mendoj se jo të gjithë do të votojnë. Nuk besoj se i ka 11 vota kur të vijë dita për të votuar.

Top Channel