Reformim i Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Manastirliu: Hap përpara drejt cilësisë në arsim

23/01/2024 13:16

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes mes MAS dhe AADF për reformimin e QSHA me ekspertizë ndërkombëtare, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu tha se shumë shpejt do të ndryshohet rregullorja, për të lehtësuar procedurat e njësimit të diplomave të studentëve që janë diplomuar jashtë vendit, duke reduktuar kohën e pritjes nga 45, në 5 ditë për diplomat e marra në vendet e BE, SHBA, Kanada, etj, ndërsa për vendet e tjera, koha e pritjes shkurtohet nga 45 në 30 ditë.

Firmoset marrëveshja për reformimin dhe modernizimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, me ekspertizën e vyer të Qendrës së Vlerësimeve të Cambridge.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe sportit Ogerta Manastirliu dhe bashkëdrejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF). Marrëveshja do të fillojë të zbatohet menjëherë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si ofrohen shërbimet arsimore nga QSHA.

“Nëpërmjet këtij partneriteti të ri, transformojmë Qendrën e Shërbimeve Arsimore, në një agjenci autonome, e cila jo vetëm të mundësojë një vlerësim transparent dhe meritokratik të bazuar mbi standarde dhe metodologji të unifikuara me vlerësimet ndërkombëtare, duke i sjellë këto në kontekstin lokal, por edhe duke bërë të mundur që nga këto vlerësime, qofshin kombëtare, qofshin ndërkombëtare, ne të kemi bazën e të dhënave nga të cilat të nisemi për të përmirësuar cilësinë në arsim në të gjithë shkollat shqiptare”, tha Ministrja Manastirliu në ceremoninë e zhvilluar në TUMO, një prej strukturave më inovatore të mësimit dhe teknologjisë për fëmijët dhe të rinjtë.

Procesi i transformimit të QSHA-së do të ndahet në tri faza që përfshijnë rritjen e kapaciteteve dhe aftësive, zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe nënligjor, dhe monitorimin e qëndrueshmërisë organizative dhe financiare të QSHA-së në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe institucione prestigjioze si Qendra e Vlerësimeve të Cambrige (Cambridge Assessment Center) dhe Këshilli Britanik (British Council), eksperienca dhe praktikat e të cilëve do të jenë thelbësore për reformimin e QSHA-së.

“Ne synojmë të krijojmë një strukturë efektive të shërbimeve arsimore me stafe te kualifikuara, me pajisje të standardeve bashkëkohore, me teknologji dhe informacion. Në bazë të kësaj marrëveshje, synojmë që testimet e digjitalizuara të shtrihen nga matura shtetërore, tek testet e pranimit në universitete, të zgjerojmë gjithashtu edhe gamën e shërbimeve që ofron Qendra e Shërbimeve Arsimore. Nëpërmjet tri fazave nga kalon kjo reformë e QSHA-së, rrisim kapacitetet e veprimeve njerëzore, kapacitetet procesuese dhe të përfshijmë mekanizma inovator të teknologjisë dhe vlerësimin e arritjeve të nxënësve, studentëve në sistemin tonë arsimor. Faza e dytë do të kalojë në hartimin e kuadrit ligjor dhe akteve nënligjore dhe këtu do të kemi mbështetjen e Qendrës së Vlerësimeve të Cambrige (Cambridge Assessment Center); për të ecur drejt fazës së tretë, ku Qendra e Shërbimeve Arsimore bëhet një agjenci autonome”, tha Manastirliu.

Qendra e Shërbimeve Arsimore ofron shërbime nga organizimi i provimeve kombëtare, regjistrimi i maturantëve dhe studentëve, administrimi i provime shtetërore, duke përfshirë mjekësinë dhe mësuesinë deri te procedurat e legalizimit të dokumente shkollore, përfshirë dhe njësimin e diplomave të arsimit të lartë.

Për këtë të fundit Ministrja Manastirliu tha se, për të gjithë studentët shqiptarë që janë diplomuar jashtë vendit procedurat për njohjen dhe njësimin e diplomave do të lehtësohen.

“Ne jemi duke punuar me Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe së bashku sapo kemi finalizuar ndryshimet në rregullat për njohjen dhe njësimin e diplomave të studentëve dhe profesionistëve që kanë studiuar jashtë vendit, duke reduktuar kohën e njohjes dhe pritjes së diplomave nga 45 ditë në 5 ditë për ata që kanë studiuar në vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Japonisë, Izraelit. Ndërsa për sa i përket vendeve të tjera kjo procedurë reduktohet nga 45 në 30 ditë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Përmes kësaj marrëveshjeje QSHA do të transformohet në një strukturë shërbimi më efektive, me stafe të kualifikuara, infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuar.

Top Channel