Firmoset marrëveshja mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut! Nga 1 marsi punëtorët do të lëvizin lirisht

23/01/2024 13:09

Nga 1 marsi qytetarët elektronikë të Open Balkan mund të punojnë lirisht në Maqedoninë e Veriut, Serbi apo Shqipëri

Projekti i Ballkanit të Hapur nuk është shuar si nismë. Të paktën jo për Serbinë, qeveria e së cilës njoftoi pas takimit të liderëve rajonalë në Shkup se ka firmosur dy protokolle të reja me qeverinë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që do të mundësojë lëvizjen e lirë të punonjësve nga 1 marsi.

Marrëveshja u firmos nga ministrat përkatës të tri shteteve, ndërsa Shqipërinë e përfaqësoi zv.Ministrja e Financave znj.Adela Xhemali.

Dy protokollet e firmosura kanë të bëjnë konkretisht me Qasjen e Lirë në Tregun e Punës dhe me Lidhjen e Skemave Elektronike të Identifikimit me Numrat e ID-së.

Më tej në RadioTelevezionin publik Serb, ministri I Informacionit dhe Telekomunikacionit Mihailo Jovanović ka shpjeguar se me nënshkrimin e këtyre protokolleve është përfunduar pjesa administrative për formimin e një tregu unik të punës.

Sipas marrëveshjes synohet që qytetarët nëpërmjet kartave të tyre të identiteti nga të tre shtetet do të kenë mundësi të hapin llogari në një portal elektronik të përbashkët. Më pas ata do të pajisen me një pajisen me një numër identifikues dhe mund të aplikojnë për akses falas në tregun e punës, ku do të pajisen me një kod QR të cilin mund t’ia japin si garanci punëdhënësit.

Kjo procedurë do të eliminojë nevojën për leje punë apo leje qëndrimi duke thjeshtuar procedurat, tha Ministri i Informacionit dhe Telekomunikacionit Mihailo Jovanović.

Pra nëpërmjet një numri elektronik qytetarët e tri shteteve mund të jenë pjesë e tregut të Ballkanit të Hapur, që tashmë do të përfshijë përafërsisht 12 milion banorë. Momentalisht qytetarët e tre vendeve mund të lëvizin lirisht me karta identiteti në kufijtë tokësorë të njëra-tjetrës.

Top Channel