Biseda e fundit me Bledar Dedjën/ Kolegu i 39-vjeçarit që u masakrua në Itali: Punonim bashkë, prindërve ende nuk u kemi thënë

23/01/2024 14:47

Familjarë dhe miq të Bledar Dedjës, që u masakrua me thikë me Itali, janë të tronditur nga ngjarja e rëndë.

Në një intervistë për “Shqipëria live”, një bashkëfshatar dhe koleg i viktimës, tregoi se takimin e fundit me të e ka pasur para një javë. Sipas tij, prindërit e 39-vjeçarit ende nuk e dinë tragjedinë që u ka ndodhur dhe familjarët përpiqen t’i mbajnë të shkëputur nga media.

“Njeri më i sinqertë, më i ndërgjegjshëm, më punëtor, nuk ka. Edhe si familje. Kam punuar bashkë me të në Itali. Jemi pikëlluar të gjithë si fshat. Prindërit nuk e kanë marrë vesh, janë moshë e thyer. Asnjë lloj precedenti nuk ka pasur në Itali”.

Avokati, në një lidhje direkte tregoi se sipas vëllait të Bledarit, dy ditët e fundit, ai “ishte i shqetësuar dhe kishte ndryshuar pak në sjellje. Dyshimi i tyre është se mund të ketë parë diçka, ndonjë skenë”.

Bledar Dedja u gjet i vdekur më 21 janar, në një pyll në Paderno del Grappa me plagë të shumta me thikë në trupin e tij.

Të dielën në mëngjes, ai do të shkonte për peshkim me një shok: ishte ai që gjeti Mercedesin e bardhë B class në rrugë, në anë të Via dei Colli, rrëzë Monte Grappa. Njëqind metra përpara, i shtrirë në tokë, ishte trupi i pajetë i 39-vjeçarit, ende me rrobat e punës.

Jashtë kangjellave të stacionit të karabinierëve të Asolo, teksa hetuesit merrnin në pyetje bashkëshorten, prindërit e Bledar Dedja, vëllai, motra dhe nipërit prisnin përgjigje dhe kërkonin që të futeshin brenda.

Dedja ishte zhdukur që prej pasdites të së shtunës 20 janar. Personat e fundit që e panë të gjallë ishin kolegët e restorantit Antica Abbazia në Borso del Grappa, ku për rreth tre vjet, 39-vjeçari punonte si kopshtar, duke ndihmuar në pastrimin dhe mirëmbajtjen e vendit.

Top Channel