Si për herë të parë përballë prokurorëve antikorrupsion, Sali Berisha doli prej andej me përshtypjet që i la SPAK, që bazuar ne deklaratat e tij të mëparshme ishin të parashikueshme.

“Pasi i pyeta pse jetoni në këtë terror kaq të madh këtu ju? Të hysh aty, hyn si në një, nuk mund ta imagjinoni se çfarë masash sigurie, a thua se ka kush kohë të merret me ta“, tha ai.

Në më pak se dy orë pyetje për dosjen “Partizani”, ish-kryeministri i dyshuar për korrupsion tregoi çdo të thotë të jesh përpara SPAK dhe anasjelltas çdo të thotë te kesh një ish-kryeministër pwrballë.

“Unë gjeta aty një atmosferë mortore. Shihni të hutuar njëri-tjetrin dhe nuk dinin se ç’të përgjigjeshin”.

Bindjet e Berishës për prokurorët janë po aq të pandryshueshme sa edhe denoncimi i tij për sulm ndaj opozitës dhe hetim me porosi  politike.

“Ata refuzuan dokumente, të cilat faktojnë se kanë vepruar në bazën e urdhrit politik të Edi Ramës. I pyeta se cili nga ju ka bashkëpunuar me McGonigal në veprimtarinë e tij kriminale si grup i strukturuar me Edi Ramën? Se kanë bashkëpunuar, janë këtu kriminelët që kanë bashkëpunuar”.

Interesimit të Top Channel se për çfarë e pyeti SPAK, Berisha iu përgjigj duke renditur edhe qëndrimin e tij.

“Nuk e mor vesh se kush drejtonte më shumë, ata mua apo unë atyre. Pyetje konkrete? Kishin marrë një listë personash, a i njeh ti këta? Se nga e kishin marrë listën, nga zyrat e Edi Ramës. Pyetje tjetër, se çfarë pune ka bërë Abi Malltezi. Pyetën a ke dijeni ti për aktin e kontrollit të këtij kolonelit apo gjeneralit? Një trillim i mirëfilltë i tyre se ai akt nuk ka asnjë lidhje me privatizimin. Është një mashtrim i mirëfilltë i tyre. Ai kontroll është ushtruar sepse gjenerali për një arsye apo një tjetër, mbante peng sendin e blerë nga pronarët. Privatizimi kishte përfunduar dhe me muaj të tëra, ai objekt shfrytëzohej në mënyrë mafioze nga Paro Laçët dhe ata që paguante Paro Laçi. Edhe njëherë qartësoj se qëndrimet e gjeneral Qirjazit nuk kishin asnjë lidhje, sepse procesi i privatizimit kishte përfunduar 14 muaj më përpara”.

Jo shumë orë nga marrja në pyetje, këtu në gjykatë do të shqyrtohet apeli i avokatëve të ish-kryeministrit që kërkojnë ndryshim të masës së arrestit shtëpiak. Kurse te enjten merret në pyetje Jamarbër Malltezi.

Top Channel