Të gjendur rastësisht në vendin e gabuar.

Ecja në bulevardin Gjergj Fishta, për dy kalimtarë  rezultoi të ishte tragjike. Në orën 10:10 të kësaj dite të hënë, shkëputja e skelave nga një pallat në ndërtim nga kompania “Arlis Construcion”, në atë zonë, lëndoi një grua 45 vjeçare dhe një burrë të moshës 70 vjeç. Dy kalimtarët u dërguan me urgjencë për kujdes mjekësor në spitalin e traumës në gjendje të rënduar.

“U dëgjua zhurmë e fortë. Gruaja ishte gjakosur, ndërsa burri ishte shtrirë përtokë pa ndjenja”, tha një dëshmitare.

Shenjat e aksidentit ishin të dukshme në vendngjarje me semaforin e shkatërruar dhe njollat e gjakut; por mbi të gjitha, mungesa e kushteve të sigurisë së pallatit në ndërtim nga kompania e ndërtimit Arlis rrezikuan jetën e dy qytetarëve. Policia rrethoi hapësirën e aksidentit si skenë krimi dhe vijoi me hetimin e imtësishëm të ngjarjes, ku si rrjedhojë u shoqëruan në komisariat  inxhinieri i pallatit dhe dy punonjës të kompanisë së ndërtimit.

Me mbylljen e procedurave hetimore nga uniformat blu, trotuari ku u lënduan dy kalimtarët nga shkëputja e skelave vijojnë të jetë i aksesueshëm. Pavarësisht rrezikut, rruga nuk është bllokuar.

“Unë që e pashë skenën ishte tmerr. Këtu nuk ka siguri. Ku të kalosh?”, tha dëshmitar.

Mesa duket ngjarja e sotme nuk shërbeu si një mësim as për kompaninë e ndërtimit, as për institucionet shtetërore për të kontrolluar masat e sigurisë. Lejimi i qarkullimit në trotuarin e incidentit rrezikon që ngjarja të përsëritet, teksa kalimtarë të tjerë ndjekin të njëjtat hapa si dy të plagosurit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA