13-vjetori i “21 Janarit”, Manja: Drejtësia si krim shtetëror është në ajër, ka magjistratë të paaftë profesionalisht

21/01/2024 10:40

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë fjalës së tij në 13-vjetorin e “21 Janarit” tha se rezultatet e drejtësisë nuk janë në nivelet e pritshmërive të publikut.

Manja:Rithemelim të një drejtësie të pavarur, e premtuam dhe e bëmë me ndihmën e partnerëve tanë. A janë rezultatet e drejtësisë në nivelet e pritshmërive të publikut? Fakti që sot pas 13 vitesh drejtësia për 21 janarin si krim shtetëror është në ajër, brenda ka magjistratë të paaftë profesionalisht që punojnë akoma me mentalitetin e vjetër, me skadim të afatit sepse kanë frikë të përballen me dosje të rëndësishme. Nuk mund të rrijmë peng të magjistratëve që tundin në dorë një certifikatë Vettingu.

Sot shënohen 13 vite nga ngjarja e rëndë e “21 janarit”, ku mbetën të vdekur katër qytetarë gjatë protestave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para Kryeministrisë.

Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Aktualisht ka vetëm një çështje në Prokurorinë e Tiranës, ajo e vrasjes së Aleks Nikës, teksa predha që e la atë të vdekur është dërguar për ekzaminim në Itali, ndërsa vrasja e tij, 13 vite më pas vijon të mbetet pa autor.

Top Channel