Atletico “merr hak”, eliminon me “poker” Realin dhe siguron çerekfinalet e Kupës së Mbretit

19/01/2024 07:12

Atletico triumfon në derbin e Madridit dhe kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, ndërsa eliminoi Realin, në sfidën që përfundoi me rezultatin 4-2 pas kohës shtesë.

Ishte skuadra e Simeones ajo që zhbllokoi takimin me golin e realizuar nga Lino në minutën e 39’, megjithatë pjesa e parë u mbyll në barazim pasi Oblak bëri autogol në minutën e 45+1’.

Ndërsa në minutën e 57’ Morata riktheu avantazhin te ekipi i Atletico-s, megjithatë Joselu shënoi me kokë në minutën e 82’, duke barazuar dhe duke bërë që koha e rregullt të mbyllej me rezultatin 2-2.

Në minutën e 100’ Griezmann realizoi golin e tretë për skuadrën e “colchoneros”, teksa Riquelme vulosi këtë takim dhe bëri “poker” për Atletico Madrid me golin që realizoi në minutën e 119’.

4-2 dhe Atletico Madrid shkon në çerekfinale të Kupës së Mbretit, duke marrë “hak” për eliminimin nga Superkupa pak ditë më parë, teksa rrugëtimi në Kupën e Mbretit për Real Madrid mbyllet këtu, raporton Supersport.

Top Channel