Rrëfimi tronditës i Erikssonit: Tumori ka avancuar, por nuk ka arritur ende minuta e 90-të!

18/01/2024 11:39

Sven-Goran Erikssonit i ka mbetur edhe pak kohë për të jetuar. Realiteti është i hidhur: tumori ka avancuar aq shumë, sa nuk mund të operohet.

“Nga pankreasi, kaloi në organe të tjera, në mëlçi, në mushkëri”, shpjegon trajneri skandinav 75-vjeçar. “Është një tumor që nuk mund të kurohet dhe as të operohet, me të vërtetë shokuese. Nëse do të mendoj për këtë tumor çdo ditë, çdo minutë, do të çmendesha. Nuk e mendoj shumë dhe po funksionon. Dua të vazhdoj të jetoj sa më gjatë, por nuk dua të jetoj në mjerim mendor”.

Sëmundjen e mësoi pa pasur asnjë paralajmërim:“Më ra të fikët në kuzhinë dhe doli që kisha një tumor”.

Korrespondenti i “Le Iene” e pyet se si i kalon ditët dhe ai shpjegon se ka reduktuar ndjeshëm aktivitetet e tij pas diagnozës së tmerrshme. Puna e tij e fundit ishte tek IF Karlstad Fotboll, një klub në divizionin e tretë suedez, nga ku u largua në shkurt të vitit të kaluar.

“Nëse duhet të jesh drejtor sportiv, të blesh dhe të shesësh lojtarë, duhet të jesh aty gjatë gjithë kohës. Unë nuk mund ta bëj këtë. Më duhet të bëj kontrolle çdo dy javë për të parë nëse tumori përkeqësohet apo jo. Deri më tani është mirë. Jeta është e bukur, ngrohtësia që mora ishte shumë e bukur. Jam me fat, kisha një punë që më pëlqente shumë, ndihem i lumtur. Ende shikoj futboll në TV, katër ose pesë ndeshje të shtunën dhe të dielën. Këtu vjen edhe babai im, i cili është gati 95 vjeç.

Çfarë më ka mësuar kjo sëmundje? Mos e merrni si të mirëqenë që jeta është gjithmonë e mrekullueshme. Duhet të jeni të përgatitur për disfata, në futboll si në jetë. Për mua nuk ka arritur ende minuta e 90-të. Si do të doja të më kujtonin? Si dikush që u përpoq të edukonte lojtarë, fëmijë. I mirë si trajner, një njeri i respektuar”- tha Erikssoni, raporton Supersport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA