Përmbyset varka me nxënës shkolle në Indi, humbin jetën 12 prej tyre

18/01/2024 19:58

Të paktën 12 nxënës dhe dy mësues janë mbytur pasi varka me të cilën po lundronin u përmbys në Indinë perëndimore.

Ata kishin dalë në një piknik shkolle, e  cila përfundoi me pasoja në jetë njerëzish. Policia lokale konfirmoi numrin e të vdekurve për BBC, ndërsa ende vijojnë kërkimet për të tjerë.

Ende nuk dihet shkaku i incidentit, i cili ndodhi në liqenin Harni në Vadodara, në shtetin e Gujarat. Rreth 27 persona ndodheshin në varkë, të pa pajisur me jelekë shpëtimi, në momentin që u përmbys.

Autoritetet kanë deklaruan se shtatë persona janë shpëtuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit dhe po marrin trajtim në spital.

“Mendimet e mia janë me familjet e viktimave në këtë orë pikëllimi”, shkroi kryeministri Narendra Modi në “X”. Qeveria vendase ka vendous të japë 400 mijë rupi (4,800 dollarë ose 3,800 paund) për familjet e viktimave.

Aksidentet me varka nuk janë të rralla në Indi. Shpesh mjetet lundruese janë të mbipopulluara, të mirëmbajtura keq dhe nuk kanë pajisje sigurie. Vitin e kaluar, 22 persona humbën jetën pasi një varkë u përmbys në shtetin jugor Kerala të Indisë.

Top Channel