“Isha te terapia e djalit”/ Rama akuzoi protestuesit se e sollën në Parlament, shqiptarët mbledhin brenda pak orësh 151 mijë dollarë për nënën dhe të birin me autizëm Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për kërkesën e grupit të deputetëve demokratë për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për marrëveshjen e emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në njoftimin e dhënë për mediat në përfundim të seancës së sotme, Gjykata Kushtetuese shprehet se ka kërkuar Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995, për të vlerësuar nëse marrëveshja e firmosur në Itali mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes Giorgia Meloni është në përputhje me këtë Traktat.
“Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi që seanca plenare e radhës të zhvillohet në datën 24 janar në orën 11:30.
Disa ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për marrjen e një opinioni këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Protokollin ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
Top Channel