Irani, sulme në Pakistanin “bërthamor”: Akt i paprovokuar, do hakmerremi!

17/01/2024 09:02

Pakistani e dënoi me forcë sulmin ajror Iranian brenda kufijve të tij i cili i kushtoi jetën dy fëmijëve, duke e cilësuar një “shkelje të paprovokuar të hapësirës së tij ajrore” e duke paralajmëruar hakmarrje.

Pak pasi sulmoi me raketa atë që e cilësoi si “seli e spiunëve izraelitë” pranë Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe shënjestroi objektiva të lidhur me shtetin  Islamik, në veri të Sirisë, republika islamike njoftoi se kishte përdorur goditje “me raketa të precizionit të lartë dhe me dronë”, për të shkatërruar dy bastione të grupit militant sunit Jaish al-Adl, i njohur në Iran si Jaish al-Dhulm, në zonën Koh-e-Sabz të provincës jugperëndimore të Balochistanit në Pakistan.

Raketat iraniane në Irakun verior dhe Siri përbëjnë përshkallëzimin më të fundit të armiqësive në Lindjen e Mesme, ku lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza rrezikon gjithmonë e më shumë të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal. Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se sulmi në territorin e saj vrau “dy fëmijë të pafajshëm” dhe paralajmëroi Iranin për “pasoja të rënda”.

“Është edhe më shqetësuese që ky akt i paligjshëm ka ndodhur pavarësisht ekzistencës së disa kanaleve të komunikimit midis Pakistanit dhe Iranit”, thuhej në deklaratën e saj. Pas sulmit, Pakistani i armatosur me armë bërthamore paraqiti një “note të fortë proteste” përmes një zyrtari të lartë në Ministrinë e Jashtme të Iranit në kryeqytetin iranian Teheran dhe i bëri thirrje të ngarkuarit me punë iraniane, duke thënë se “përgjegjësia për pasojat do të jetë plotësisht e Iranit”.

Top Channel