Një ditë pas votimit në Kuvend, u betuan sot në Presidencë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.
Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Ervin Mete, Ministër i Financave, u betuan përpara Presidentit të Republikës pas leximit të formulës së posaçme.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u dorëzoi ministrave dekretin përkatës të emërimit duke i uruar suksese në detyrën e tyre.
Të hënën, Kuvendi votoi mes zhurmës ndryshimet në qeveri. U votua me 73 vota pro shkarkimi i Elva Margarit, si ministre e Kulturës, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Me 72 vota pro, u votua shkarkimi i ministrit të Ekonomisë Ervin Mete, dhe me 73 vota emërimi i Blendi Gonxhes, si ministër i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit.
Top Channel