Ish-kryeministri Sali Berisha është gati të shkojë në parlament si deputet, por jo për në SPAK, i cili i ka dërguar ftesë për ta pyetur ditën e enjte në ora dhjetë.
Sokol Mëngjesi, njëri nga avokatët e deputetit Sali Berisha tha për Top Channel se për shkak të agjendës së mbrojtjes dhe se avokatët nuk e kanë të mundur ta shoqërojnë Berishën në Prokurorinë e Posaçme i kanë kërkuar SPAK shtyrje. Për këto arsye ne kemi kërkuar një datë tjetër dhe një orë tjetër përmes një shkrese, shtoi për Top Channel, avokati Mëngjesi.
Por, ndërkohë me këtë kërkesë të dorëzuar në 15 janar Sali Berisha kërkon nëpërmjet mbrojtjes që të enjten të lërë arrestin shtëpiak e të shkojë në parlament. Kërkesë kjo që kujton lirinë politike të deputetit për të qenë në çdo seancë.
“Në kushtet kur Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë arsye duke qenë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është absolutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur”, u thuhet dy prokurorëve të dosjes Partizani.
Më tej, Berisha nën arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023 kërkon që të përcaktohen edhe modalitet se si do të lëvizë nga banesa drejt sallës se seancave plenare si dhe kohën e nevojshme për të realizuar këtë lëvizje, vetëm për të marrë pjesë në sallën e seancave plenare ku zhvillon punimet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë theksohet ne dokument
Por, nëse do ti jepet apo jo leje për te qenë i pranishëm në seancat parlamentare, SPAK nuk dha asnjë koment
Ndërkohë dy prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja kërkojnë të marrin në pyetje të mërkurën edhe Jamarbër Malltezin, për të cilin SPAK ka dorëzuar rekurs në gjykatën e lartë me insistimin se duhet rikthyer në paraburgim.
Top Channel