Tregtonin aparatura që transmetojnë kanale pirate, goditet grupi prej 11 personash! Si u gjurmua aktiviteti i paligjshëm

13/01/2024 10:47

Një operacion policor i koduar me emrin “Transmodulari” ka çuar në arrestimin e disa personave dhe kapjen e pajisjeve që shërbenin për të piratuar programet televizive.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në Drejtorine e Policisë së Tiranës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Personat e ndaluar tregtonin aparatura dekoder që transmetojnë kanaleve televizive vendase dhe të huaja, për të cilët kërkohet pagesë specifike nga platforma të licensuara zyrtare, vihen në pranga 3 shtetas ndërsa po procedohen penalisht 7 të tjerë, dhe shpallet në kërkim një tjetër. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, u gjetën 200 aparate dekoderash, të modeleve të ndryshme tokësore dhe satelitore, dhe transmodulari që bënte kontrollin e të gjitha IP-ve të shpërndara pas shitjes së dekoderave, me listën e kanaleve specifike, si dhe gjithashtu bënte gjurmimin në kohë reale të kanaleve, nëpër subjektet e shpërndara.

Në lidhje me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai thotë se organizimi i veprimtarive ekonomike të paligjshme, të paliçensuara, të cilat shmangin detyrimet fiskale ndaj shtetit dhe vjedhin të drejtat e autorit nga operatorë të tjerë të ligjshëm duhet të vijojë të jetë në fokusin e strukturave te policisë kundër krimit ekonomik në të gjithë territorin. Rruga e pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon një koordinim edhe më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në luftën kundër kundër krimeve ekonomike, evazionit, kontrabandës, krimeve kibernetike, piraterisë.

Ne lidhje me këtë aksion ka reaguar edhe drejtuesja e autoritetit te mediave audiovizive.

Falënderime për reagimin e shpejtë, profesional dhe operacionin e suksesshëm të kryer nga Policia e Shtetit falë të cilit shkelës të ligjit, vjedhës të të drejtave të transmetimit, përfunduan para drejtësisë. AMA ka bashkëpunuar me forcat e rendit duke dhënë kontribut në gjurmimin e shkelësve të ndaluar në këtë operacion. Ne nuk do të reshtim luftën kundër piraterisë dhe e vlerësojmë shumë të çmuar punën e përbashkët me institucionet e tjera ligjzbatuese”, përfundon mesazhin e saj Krasniqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA