Studentë të arteve dhe komunikimit të UET me ‘mision studimor’ në studion e BB VIP

13/01/2024 23:50

Mes shumë risive, si prezantuesi, opinionistët, personazhet e veçantë e të larmishëm të përzgjedhur për reality show-n Big Brother Vip Albania, shtohet edhe një element i ri: audienca.

Në këtë edicion të tretë, i cili startoi mbrëmjen e kësaj të shtune, do të jenë pjesë e tij edhe studentë të degëve të arteve dhe komunikimit si dhe pjesëtarë të klubeve studentore në Universitetin Europian të Tiranës. Prania e tyre nuk ka të bëjë me tifozllikun ndaj personazheve apo simpatinë ndaj vip-ave të caktuar, por ata do të kenë një ‘mision studimor’, pikërisht aty ku ndodh ngjarja më e përfolur, në botën reale dhe virtuale të shqiptarëve.

Ka pak ngjarje në Shqipëri që bëhen gjithëpërfshirëse dhe kthejnë pjesë të audiencës gjithë shoqërinë, siç ka ndodhur me BBV. Të rritur e fëmijë, profesionistë apo të papunë, në Tiranë, Shkodër apo Vlorë, anembanë Shqipërisë dhe kudo nëpër botë, BBV i ka përfshirë të gjithë, duke u bërë eventi më i përfolur.

Ai është kthyer në një fenomen dhe ka depërtuar në çdo qelizë njerëzore, herë duke shkaktuar zhurmë e të qeshura, e herë debate të ashpra e urrejtje të madhe, me tema dhe diskutime që preknin jo vetëm ata që ndodheshin brenda asaj që cilësohet si shtëpia më e famshme dhe më e ndjekur në Shqipëri, por edhe ata që ishin jashtë e që madje shpesh vinin gishtin në plagë shoqërore që ende nuk gjejnë ilaçin e tyre.

Vitin e kaluar, në ditët e spektaklit, rrugët e Shqipërisë boshtaiseshin, e më tej u përfol se ky reality show po ndikonte në uljen e kriminalitetit. Shumë është diskutuar në televizione, në panele të ndryshme me eskpertë të fushave humane e njohës të mirë të psikologjisë njerëzore dhe botës së televizionit.

Një gjë të tillë tashmë do ta bëjnë edhe këta profesionistë të rinj të medias. Duke qenë në ambientet e BBV, pranë regjisë dhe njerëzve që drejtojnë, studentët e UET do të studiojnë fenomenin e këtij reality show nga presepektiva komunikimit, dizajnit, ndërtimit të mesazhit për audiencën, elementët televizivë, skenarit, prezantimit etj. Ky raport me produksionin dhe redaksinë e vëllait të madh, synon të zbulojë sipas metodave shkencore përbërësit e suksesit të këtij spektakli dhe të impaktit që ai ka në shoqëri.

Duket se kjo e shtunë ka sjellë sërish qetësinë në rrugët e Shqipërisë. Shtuar këtu edhe vijimësinë e spektaklit, artistët, këngëtarët e të famshmit që janë bërë pjesë, surprizat ende të pazbuluara, duket se premtohen ditë e javë të ngarkuara me emocione dhe debate të reja.

Top Channel