Arrestimi i Fatos Nanos i rrëfyer nga ish-sekretarja personale: E takova duke u hequr si kushërira, më porositi për ruajtjen e letrave…

12/01/2024 16:16

31 vite pas arrestimit të Fatos Nanos, ngjarja është sjellë sërish në vëmendje pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që ka lënë në arrest shtëpie ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ish-anëtari i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues në PS, Ylli Polovina në librin e tij, “Të jesh apo të mos jesh”, sjell një dëshmi nga Kristina Çupi, ish-sekretarja personale e Fatos Nanos. Në një nga kapitujt e librit të Polovinës, ish-sekretarja tregon njohjen me kryesocialistin, por dhe momentet kur Nano u thirr në Prokurori e më pas u arrestua dhe u dënua.

Kur u arrestua nga Berisha ju ishit në punë?

Ditën kur do të ikte, më 30 korrik, më është thyer filxhani. Ishte mëngjes. Njoftimi me shkrim, një pusullë thirrëse, erdhi nga Prokuroria e Tiranës. Ishte ora tetë. Mirëpo Fatosi duhej të shkonte patjetër në mbledhjen e socialistëve të kryeqytetit, që mbahej në Teatrin e Operës dhe i thashë se kishte për të shkuar edhe … Më dridhet zëri kur e them. Ai tha: “Do vete njëherë në mbledhjen e Tiranës”. Shkoi.

Kur erdhi këtu, ishte me një grup njerëzish. Një mik i tij, një afarist, i tha se duhet të blinin “Fanta”. I blemë ato dhe Fatosi tha: “Tani duam edhe një kafe”. Ia bëra kafet te një nga zyrat. Kur ia solla të tijën, më pa në sy (se si po më shihte) dhe tha: “Mund të mos kthehem”. E dëgjuan edhe të tjerët. Mbetëm. Sepse shtoi: “Ata do të bëjnë shpejt atë që kanë ndër mend ta bëjnë”.

Mos u mërzit i thashë, mos u mërzit se e kam shenjë të mirë.

Pastaj iku. E pritëm, e pritëm. Dikush vajti. Vajtën të tjerë. Prisnim para Prokurorisë. Disa druheshin të pyetnin (siç e kemi ne që ndonjëherë kemi frikë). E kishin arrestuar. Morëm porosinë se duhet të hiqnim ato që duheshin hequr nga zyra. E ç’duheshin hequr? Asgjë nuk kishte që e fajësonte, por hoqëm shkresa më kot. Më shumë nga turbullira.

Nuk patët asnjë mundësi që ta takonit kur ishte në burg?

E takuam më 12 gusht. U nisa me dy shoqe të tjera. Ato hiqeshin sikur ishin kunatat e Fatosit, unë si kushërira. Pritëm përjashta. Ishte zheg. E kam tani si në ëndërr. Si një njeri që sheh syhapur e nuk lëviz dot nga vendi. E pashë nga larg: ishte veshur me kanotiere, rruar dhe rregulluar. Erdhi dhe kemi ndenjur në oborr. “Të paskan futur në formalinë, Kristina”, më tha. Më parë kishim bërë shaka se ai duhet të merrte një sekretare të re e ajo të ishte brune. Pata kënaqësi, folëm, unë i thashë për bashkëjetesën. Nejse, për kohën bashkëjetesa është normale, por unë për çupën time nuk do ta dëshiroja kurrë. Fatosi iu përgjigj merakut tim, duke thënë: “Ç’ke ti Kristina?

Le të bashkëjetojnë të rinjtë”. Atëherë ia ktheva se kjo nuk ndikon mirë për ne. “Rri, tha, mos fol më”. E mori vesh për kë e kisha, ato dy shoqet e tjera nuk e kuptuan. Biseda vazhdoi me çështje të tjera. I thashë se isha miqësuar me shumë sekretare ambasadash, se ambasadori, ky apo ai, kishin pyetur për të. Pastaj më pyeti ai për shumë gjëra. Më porositi për ruajtjen e letrave, për përgatitjen e Kongresit që do të bëhej, se duheshin materialet e kancelarisë. Ky ishte edhe takimi i fundit me të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA