Opozitarët i qëndruan parimit se hallet zgjidhen në kafe, por një kafe nuk i mjaftoi aleatëve historik të demokratëve të gjenin mekanizmim e bashkimit nën një federatë pa paragjykime dhe pa përjashtime.
Agron Duka ishte ai që ftoi jo vetëm mikun e tij Fatmir Mediu, por edhe Flamur Nokën, Gazment Bardhin dhe Petrit Vasilin, në një kafe për të biseduar rreth idesë të bashkimit në një Federatë opozitare.
Aleatët nuk kompleksohen nga prania e asnjë faktori, duke nënkuptuar shkrirjen e të gjithë opozitarëve në një formacion, përfshirë edhe Lulzim Bashën. Por, emri i Lulzim Bashës nuk mirëpritet nga besnikët e Sali Berishës. Flamur Noka ia bëri të qartë aleatëve që është gati për bashkim, por pjese të këtij bashkimi nuk sheh ish-kryetarin e tij të partisë duke i mbyllur derën Lulzim Bashës.
“Ne jemi dhe kemi qenë pro bashkimit të opozitës, si rruga e vetme për t’u përballur me këtë regjim. Ta kemi të qartë se regjimi rrëzohet vetëm me përballje dhe mosbindje civile. Kur themi opozitë nënkuptohet ata që janë në opozitë dhe dhe jo mercenarë të regjimit”, tha Noka.
I paqarte se në cilin krah është Lulzim Basha, u duk edhe Gazment Bardhi, i cili kërkon që t’i ngrihet një pyetje më parë ish-kryetarit, nëse ai e konsideron vetë pjesë të opozitës apo qeverisë. Petrit Vasili mësohet të ketë qenë neutral, duke mos u bërë pjesë e debatit, mes rrymave të ndryshme brenda shtëpisë së demokratëve.
Aleatët historikë të demokratëve propozojnë që palët të ulin “armët” dhe që të bashkohen nën një strehë, ku të ketë vend për të gjithë. Ideja e Agron Dukes dhe Fatmir Mediut parashikon koordinimin e federatës nga një grup deputetësh, ndërsa në një të ardhme të afërt, shndërrimin e saj në një koalicion opozitar, duke përcaktuar emrin dhe logon e saj.
Top Channel