Pas një hetimi të prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka dhënë masat e sigurisë “arrest në burg” për 4 tregtarë që magazinonin e tregtonin paketa me cigare të kontrabanduara.
Po ashtu, po hetohen në gjendje të lirë edhe 7 persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën veprimtari të paligjshme.
Bëhet fjalë për Flamur Zeqiraj, 68 vjeç, Pavlin Jakaj 43 vjeç, Artur Shehu, 29 vjeç, Edmond Ftoni 26 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Në gjendje të lirë po hetohen D. Y., 51 vjeç, A. H., 51 vjeç, I. D., 37 vjeç, S. O., 50 vjeç, G. B., 59 vjeç, L. H., 55 vjeç dhe A. T., të gjithë banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore është zbuluar se të arrestuarit kanë kontrabanduar cigaret dhe i kanë fshehur më pas në subjektet e tyre tregtare ku edhe i kanë shitur. Pas shitjes, këto subjekte tregtare kanë fshehur edhe ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cigarette'”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel