Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të mërkurë seancën e radhës gjyqësore, kërkuar nga tre organizata për shfuqizimin e ligjit për ndërtimit e hidrocentralit mbi Drinin e Zi në Skavicë të Kukësit.
Sipas tyre, ligji i 23 marsit 2021, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nuk merr për bazë liritë e komunitetit ku do të ndërtohet hidrocentrali, godet konkurrencën. Nëse shteti vendos prishjen e kontratës, rrezikon arbitrazhin, sipas avokatëve përfaqësues të këtyre shoqatave.
Mimoza Arbi, përfaqësuese e Kuvendit të Shqipërisë, është shprehur se në fazën e parë të hidrocentralit të Skavicës është bërë grumbullimi i të dhënave hidroenergjetike, të cilat do shërbejnë për hartimin e projektligjit, për miratimin apo jo të hidrocentralit. Më pas do jenë ligjvënësit të cilët pasi të identifikojnë të dhënat, do vendosin nëse do jetë efektive ndërtimi i hidrocentralit apo jo dhe nëse cenon të drejtat e banorëve.
“Hidrocentrali i Skavicës në fazën e parë lidhet vetëm me fazën e grumbullimit të të dhënave hidroenergjetike, strukturore, të cilat do shërbejnë si bazë për hartimin e projektligjit tjetër që i përket fazës së dytë, për miratimin e ndërtimit apo jo të hidrocentralit. Do jenë ligjvënësit të cili do shikojë në kuadër të gjitha pretendimeve që mund të dalin nga studimet, nga mbledhja e të dhënave nëse do jetë efektiv apo jo ndërtimi i hidrocentralit. Ligjvënësi do të identifikojë nëse cenohen apo cili është raporti midis të drejtave të banorëve, të drejtave të palëve, të drejtave që kërkuesit paraqitën dhe ne në seancën e kaluar i kemi argumentuar në parashtrimet tona. Pra raporti i këtyre të drejtave me rëndësinë që ka ndërtimi i kësaj vepre. Përsa i përket pretendimeve që ngrenë kërkuesit në lidhje me ndeshjen midis ligjit 38 2021 me ligje të tjera të miratuara dhe që janë në fuqi dhe që rregullojnë vlerësimin strategjik mjedisor, trashëgimitë kulturore, muzetë etj, të gjitha këto për kuvendin nuk janë pjesë e kuadrit kushtetues, sepse janë jashtë juridiksionit të gjykatës kushtetuese dhe kështu në parashtrimet tona ne kemi argumentuar që këto nuk janë pjesë e juridiksionit kushtetues”, u shpreh Mimoza Arbi.
Top Channel