Është zyrtare: 2023, viti më i nxehtë në histori, afron limiti i “tmerrit”

09/01/2024 14:32

Tashmë është zyrtare: 2023-shi u konfirmua si viti më i nxehtë në histori, i nxitur si nga ndryshimet klimatike rrjedhojë e aktivitetit njerëzor, ashtu edhe nga evente natyrore si fenomeni i motit El Niño.

Viti që lamë pas rezulton të ketë qenë rreth 1.48C më i ngrohtë se mesatarja përpara se njerëzit të fillonin të digjnin sasi të mëdha të lëndëve djegëse fosile, pohon shërbimi klimatik i BE-së. Pothuajse çdo ditë që nga korriku është parë një temperaturë e re globale e lartë e ajrit për atë periudhë të caktuar të vitit, tregon analiza e BBC.

Temperaturat e sipërfaqes së detit kanë thyer gjithashtu cdo rekord të mëparshëm. Zyra britanike e metereologjisë raportoi një javë më parë se Mbretëria e Bashkuar kishte përjetuar në 2023-shin vitin e dytë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë. Këto rekorde globale po e çojnë botën më pranë shkeljes së objektivave kryesore ndërkombëtare të klimës.

“Ajo që më befasoi nuk ishte thjesht rekordi i 2023-shit, por sasia me të cilën ai theu rekordet e mëparshme,” thotë profesori i shkencave atmosferike nga Teksasi, Andrew Dessler.

Diferenca e një pjese të këtyre rekordeve është vërtete befasuese, shprehet ai. Bota aktualisht është shumë më e ngrohtë se 100 vjet më parë, pasi njerëzit vazhdojnë të lëshojnë sasi rekord të gazeve shkaktare të efektit serrë si dioksidi i karbonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA