Shqipëria do të përfshihet nga moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Nga nesër priten reshje të dendura shiu, ja qarqet më të rrezikuara Forca të shumta të policisë dhe Drejtorisë së Burgjeve kanë shoqëruar nga burgu për në Vlorë, Sokol Sinomati, babain e 22-vjecarit Gëzim Sinomati, që u vra dy ditë më parë.
Ai ka marrë leje te posaçme për të qenë në ceremoninë e varrimit të të birit, që u ekzekutua të dielën në mbrëmje me një armë snajper.
Gazetari Mikel Marsi raporton se janë angazhuar rreth 100 forca të policisë dhe RENEA-s në Vlorë si dhe punonjës civilë të policisë.
I kthyer pak ditë më parë nga Belgjika për të festuar Vitin e Ri pranë familjes, 22-vjeçari u qëllua me snajper nga persona ende të paidentifikuar, duke ndërruar jetë në vend. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndihmuar edhe nga errësira, dhe dogjën automjetin tip “BMW” me të cilin dyshohet se kryen krimin. Automjeti u gjet nga policia duke u djegur në lagjen “24 Maji”.
Emri i tij, veçanërisht mbiemri është i njohur për drejtësinë. Para disa kohësh i është vendosur dhe tritol në afërsi te banesës së tij.
22-vjeçari Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i cili njihet me nofkën “buzëderri”. Ai u arratis nga burgu i Peqinit në vitin 2017, pasi kishte marrë leje dhe nuk u kthye më. Në vitin kur u arratis, Sokol Sinomati vazhdonte të vuante dënimin për vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje që sipas vendimit të gjykatës së Vlorës ka ndodhur në qershor të vitit 2002.
Disa vite më vonë, ai u arrestua sërish në Belgjikë dhe u dënua për arratisje. Pista kryesore e hetimit për vrasjen e 22-vjeçarit është pikërisht e shkuara e errët e të atit, megjithatë hetimet pritet të zbardhin më tej ngjarjen.
Top Channel