Një 83-vjeçar është vënë në prangat e policisë në Shkodër pasi qëlloi me armë gjahu drejt tre të rinjve.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Fasli Hyka ka qëlluar me çifte nga ballkoni i shtëpisë së tij. Fatmirësisht kanë shpëtuar pa u lënduar 3 të rinj që dyshohet se ishin objektiv i të shtënave.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë, duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.
“Shkodër
Qëlloi në mesnatë, me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve në rrugë dhe dëmtoi një automjet të parkuar, vihet në pranga 83-vjeçari.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 83-vjeçari kërcënoi me armë zjarri kallashnikov, për t’i vrarë, punonjësit e Policisë.
Me ndërhyrjen e specializuar të Forcave Kombëtare të Sigurisë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe venia në pranga e 83-vjeçarit.
Në banesën e të arrestuarit, Policia sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara.
Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe kembësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej.
Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë.
Ndodhur në keto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë.
Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel