Një i moshuar ka terrorizuar lagjen “Rus” në qytetin e Shkodrës.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Fasli Hyka ka qëlluar me çifte nga ballkoni i shtëpisë së tij. Fatmirësisht kanë shpëtuar pa u lënduar 3 të rinj që dyshohet se ishin objektiv i të shtënave. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë, duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.
I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë, pasi sipas tij, jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin. Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve, kalimtarë të rastit që arritën të shpëtojnë. Më përpara efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk pranoi.
Në momentet kur policia i bënte thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften e tij si një shenjë rezistence dhe i kërcënonte duke i thënë “ikni se do ju vras”. Në këto kushte u desh ardhja e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët edhe ata nisën një negocim, por sërish 83-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej. Pas pak minutash mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar, por refuzoi edhe të birin. Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen dhe në pak sekonda arrestuan shtetasin Fasli Hyka, duke e finalizuar me sukses këtë operacion, i cili zgjati për afro 3 orë e gjysmë. 83-vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mësohet se çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë.
Ndërkohë mësohet se shtetasi Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.
“Shkodër
Qëlloi në mesnatë, me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve në rrugë dhe dëmtoi një automjet të parkuar, vihet në pranga 83-vjeçari.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 83-vjeçari kërcënoi me armë zjarri kallashnikov, për t’i vrarë, punonjësit e Policisë.
Me ndërhyrjen e specializuar të Forcave Kombëtare të Sigurisë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe venia në pranga e 83-vjeçarit.
Në banesën e të arrestuarit, Policia sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara.
Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe kembësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej.
Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë.
Ndodhur në keto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë.
Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel