Sulmet në Detin e Kuq, fillojnë pasojat! Po pengohet tregtia globale

06/01/2024 14:45

Pasojat e sulmeve të rebelevë Huthi në Detin e Kuq, kanë nisur të ndihen. Milicët nga Jemeni të mbështetur prej Iranit, të cilët e shohin veten si pjesë të një “boshti të rezistencës” të drejtuar kundër Izraelit, kanë vazhduar të shënjestrojnë anijet në zonë dhe po cenojnë tregtinë globale.

Disa kompani anijesh transporti aktualisht po e shmangin lundrimin përmes ngushticës Bab al-Mandeb. Në rrugën e tyre drejt Kanalit të Suezit të gjitha anijet duhet të kalojnë përmes kësaj ngushtice detare, e cila ndan Gadishullin Arabik nga Afrika dhe lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit – dhe kështu me Oqeanin Indian.

Në reagim të kësaj situate, SHBA-të formuan koalicionin ushtarak ndërkombëtar OPG (Operacioni Prosperity Guardian) disa ditë para Krishtlindjeve për të siguruar transportin në Detin e Kuq. Më 30 dhjetor 2023, marina amerikane fundosi disa varka që i përkisnin rebelëve Huti që sulmuan anijen daneze të kontejnerëve Maersk Hangzhou. Por gjendja ende nuk është stabilizuar plotësisht.

Nëse anijet nuk kalojnë përmes Kanalit të Suezit, në rrugën e tyre nga Lindja e Largët në Evropë, atëherë ato duhet të përshkojnë të gjithë kontinentin afrikan. Kjo e zgjat udhetimin me një javë, afërsisht 3.500 milje detare (6.482 kilometra) më shumë. Kanali i Suezit, i cili lidh Detin e Kuq me Mesdheun, është rruga më e shkurtër midis Europës dhe Azisë. Rreth 12 për qind e trafikut global të transportit detar kalon përmes kësaj rruge ujore.

Top Channel