Koçiu në kantierin e Spitalit të ri të Krujës: Me buxhetin e 2024-ës investimet në struktura spitalore do të shtrihen në të gjithë vendin

06/01/2024 13:26

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektoi sot punimet që po vijojnë me intensitet për ndërtimin e Spitalit të ri të Krujës “Dr. Stefan Gjoni”, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Investimi për rindërtimin e godinës së këtij spitali përfshin jo vetëm transformimin e ambienteve për stafin shëndetësor dhe qytetarët, por edhe zgjerim të kapaciteteve.

Ministrja Koçiu u shpreh se Spitali i ri i Krujës do të ketë kushte bashkëkohore si dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së fundit me qëllim që t’u ofrojë një shërbim sa më cilësor afro 83 mijë qytetarëve të kësaj zone.

Gjatë fjalës së saj, ministrja u ndal edhe të kantieret e reja të infrastrukturës spitalore që do të shtrihen në të gjithë vendin me buxhetin e vitit 2024.

“Me buxhetin e vitit 2024 nuk do të vijojnë punimet jo vetëm në këtë infrastrukturë spitalore, por do të shtrihen në të gjithë vendin. Do të jenë edhe struktura spitalore si Gjirokastra, Spitali i Dibrës i cili fillon punimet vetëm pak javë më pas, spitali i Korçës. Ndërkohë që janë Spitali Psikiatrik i Elbasanit, Spitali Psikiatrik i Vlorës dhe 60 qendra shëndetësore, të cilat gjithashtu i shtohen infrastrukturës shëndetësore tërësisht të rehabilituar dhe që do të përfundohen brenda vitit 2024 falë buxhetit të shtetit, por dhe mbështetjes së Bankës Botërore”, deklaroi Koçiu.

Spitali i ri i Krujës do të ketë një kapacitet prej 124 shtretër, ndërsa risi e këtij investimi është shtimi i shërbimit të kontingjencës dhe rehabilitimit. Qytetarët do të mund të marrin një sërë shërbimesh në Spitalin e Krujës si në patologji, pediatri, shërbimin e obstetrikë gjinekologjisë, të kirurgjisë, radiologjisë, në fizioterapi si dhe ekzaminime laboratorike ambulatore.

Në Spitalin e ri të Krujës do të ofrohen edhe shërbimet e Poliklinikës. Aktualisht të gjitha shërbimet e Spitalit e Krujës janë transferuar në godinën e Maternitetit dhe në Qendrën shëndetësore të qytetit.

Top Channel