Nëna e 4 fëmijëve vrau veten pas denigrimit/ Shpërthen revolta në rrjet: Ashpërsoni ligjet, të mbyllet TikToku!

05/01/2024 22:14

Gjuha e urrejtjes, denigrimi dhe bullizmi në TikTok i mori jetën sot Bedrie Lokës, 41-vjeçares nga Durrësi, nënë e 4 fëmijëve. 41-vjeçarja nga Sukthi u vetëvra pas përdorimit të një sasie fotoksine më 2 janar, në një ditë feste, pasi ishte ditëlindja e vajzës së madhe të saj, por ajo zgjodhi të vetëvritet.

Bedria i dha fund jetës për shkak të denigrimit të vazhdueshëm në TikTok me video që cënonin dinjitetin e saj, rast të cilin e kishte denoncuar edhe një vit më parë të autoritet përkatës. Sot, 3 ditë pas ngjarjes që u publikua lajmi, rrjeti ka shpërthyer me reagime, politikanë që premtojnë të ashpërsojnë ligjet për krimet kibernetike, e njerëz të shoëbiz-it të cilët dënojnë dhunën që çoi në vetëvrasje.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla është shprehur se duhet bërë gjithçka për eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në Shqipëri, për të cilën nuk duhet të ketë asnjë justifikim.

Duhet të bëjmë gjithçka për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Asnjë justifikim ndaj dhunës, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online, askund”-u shpreh Balla.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehet se do të ashpërsohet ligji për mediat online dhe Kodin Penal mbi krimet kibernetike dhe se Kuvendi do të rishqyrtojë me përparësi ashpërsimin e tyre.

Një nënë e katër fëmijëve, u vetësakrifikua për shkak të denigrimit në mediat sociale. Fëmijët dhe bashkëshorti humbën njeriun e tyre më të dashur, që i kishte thirrur për t’u gëzuar bashkarisht për festat. U bëj thirrje organeve të drejtësisë t’u japin shkaktarëve dënimin maksimal, të merituar. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si një apel i fuqishëm për shoqërinë dhe institucionet. Kuvendi do të rishqyrtojë menjëherë, me përparësi ashpërsimin e legjislacionit për mediat online dhe Kodin Penal, sidomos dispozitat që lidhen me krimin kibernetik, sulmet, fyerjet dhe agresivitetin në rrjetet sociale. Agjencitë ligjzbatuese duhet të reagojnë më shpejt, me më shumë forcë dhe efiçience për parandalimin e rasteve të tilla, të cilat ndodhin para syve të të gjithë shoqërisë dhe shkaktojnë ngjarje tragjike e trauma familjare. Ngushëllime fëmijëve, bashkëshortit dhe familjarëve të të ndjerës! U prehtë në paqe!”-shkruan Nikolla.

Edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se autorët duhet të marrin dënimin maksimal dhe se duhet nërhyrje urgjente në gjuhën e denigrimit dhe dhunës në rrjetet sociale.

Një grua 41 vjeçe, nënë e katër fëmijëve, raportohet se vrau veten për shkak të denigrimit dhe bullizmit në rrjete sociale. Ky rast tmerrësisht i rëndë kërkon drejtësi! Dënimi maksimal i autorit ose autorëve për shkaktim/nxitje të aktit të vetvrasjes është më e pakta që duhet të ndodhë! Është momenti të ndërgjegjësohemi se gjuha e denigrimit dhe e dhunës në rrjete sociale prek në mënyrë shproporcionale gratë dhe vajzat, ushqehet nga kultura e dhunës patriarkale që i izolon gratë në këndin e “turpërimit” kolektiv duke u sjellë trauma të rënda individuale, familjare dhe shoqërore. Gjuha e poshtërimit dhe e denigrimit të grave gjendet rëndom në median vizive, të shkruar dhe online, ku sulmet kalojnë pa u analizuar dhe pa u dënuar nga ligji dhe shoqëria. Denoncimet për krime kibernetike dhe kërcënime online duhet të trajtohen me seriozitetin maksimal nga organet ligjzbatuese dhe nga sistemi i drejtësisë. Legjislacioni për mediat online, krimet kibernetike, kodi penal etj, kanë nevojë për ndërhyrje imediate që kultura e shpifjes dhe e denigrimit të luftohet pa asnjë rezervë nga ligji dhe të mos kthehet në normalitet shoqëror. Ngushëllime familjes së të ndjerës! U prehtë në paqen që nuk e lejuan të kishte në jetë!”, shkruan Spiropali.

Psikologia Nora Malaj, në një reagim të gjatë në rrjetet sociale shprehet se “Kjo grua është sot dëshmia më e gjallë e dhimbjes që po përjeton sot qenia njerezore qëështë e pambrojtur përballë dhunës virale që bëhet në Tik- Tok e në rrjetet social  Sot nuk humbi jetën një grua (kjo nuk është çështje gjinore) po ajo e bekuara u vëtflijua përballë kësaj shoqërie ,e cila kulturën e ka ndryshuar me mos kulturën, ku me format më të ndyrat po perdore vulgaritetin si gjyq për interesa meskine, ku injorancën e ka kthyer në kryefjalë të jetës dhe ku përballja dhe përbaltja është një ushqim për të shyqer e përzvalur qenien njerëzore , për ta bërë tabelë qitje për ata që forcën e tyre e gjejnë të shpifja , me fyerja te dhuna e frikshme që prodhon fjala . Kur fjala vret, tregon që shoqëria është në grahmat e fundit të saj ! Tunduni njeëz nga kjo e keqe e madhe që po prodhohet me këto profile fallco, me këto perzvalje ne Tik- Tok me këto rrjete qe po marrin jetën e njerëzve peng . Vetëvrasja e kësaj gruaje është britma me e madhe qe ajo na tregoi se në çfarë bataku disa qenie njerëzore po rriten dhe po denigrojne njerëzit që janë qenie me te pafajme”.

Pedagogu Lutfi Dervishi, i cili e quan rastin si “viktimë terrori”. Dervishin shkruan se ngjarja e Durrësit hedh dritë mbi rreziqet që mbart jeta virtuale, ku çdokush mund të bjerë  viktimë e sulmeve mizore, që çojnë dhe në tragjedi.

Një grua 41-vjeçare, nënë e 4 fëmijëve, ka rënë viktimë e bullizmit, nga anonimati në tik tok dhe nga mos funksionimi i drejtësisë. Pasi kaloi një kalvar njëvjeçar të ngacmimit/poshtërimit në  rrjetin social, 41 vjeçarja vendosi t’i jap fund jetës.  Kalvari i saj nisi në dhjetor 2022 kohë që kërkoi mbrojtje në shtepinë e ligjit, duke raportuar në polici atë që po i bëhej në TikTok. Viktima nuk e dinte që autori/autorja i këtij makthi online banonte në Itali. Sot policia thotë se, kallëzimi i të ndjerës është përcjellë në prokurori. Ky reagim me shumë se sqarim është justifikim. Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo thënie sot tingëllon me shumë se ironike. Epidemia e bullizmit kibernetik në TikTok nuk është një incident i izoluar dhe tragjedia është kronikë e një vrasje të paralajmëruar. “Vrasje” që nis tek gjuha që figurat publike, përdorin në publik, te hapësira në media që i jepet turli farësoj idioti/të marri dhe te “legjitimiteti” i anonimatit dhe gjuhës së urrejtjes on line.  Ngjarja e Durrësit hedh dritë mbi rreziqet që mbart jeta virtuale, ku çdokush mund të bjerë  viktimë e sulmeve mizore, që çojnë dhe në tragjedi. Mjaft të lexosh disa komente anonime për të kuptuar se deri në çfarë derexheje ka mbërritur diskursi publik dhe çfarë “normaliteti” ka fituar gjuha e urrejtes. Në mungesë të një normaliteti në sferën publike, në mungesë të një normaliteti në Parlament, në mungesë të një normaliteti në TV, mjaft njerëz kërkojnë një lloj eskapizmi në rrjetet sociale dhe nga shiu bien në breshër, pre e agresorëve anonimë.  Ndërsa pasojat e bullizmit të pakontrolluar në internet, janë të qarta për të gjithë është koha për  të bërë diçka, përtej vajtimit on line. Reagimi sa për t’ia hedhur edhe këtë radhë veç sa ngre pyetjen: kush e ka radhën? gjuetie. Çdokush që bën poshtërsi on line duhet të ndëshkohet. Në emër të “lirisë së fjalës” nuk mund t’i marrësh jetën tjetrit.Media ka shumë për të bërë sidomos me tolerimin që i ka bërë anonimëve, prindërit kanë shumë për të bërë për të informuar fëmijët se çfarë ka pas fasadës magjepëse të rrjeteve sociale, shoqëria ka shumë për të bërë për të kuptuar ndikimin/peshën e fjalëve si në rrugë ashtu edhe në internet   Ligjëvënësit mund të bëjnë detyrën duke marrë angazhim konkret.  Ata që shfaqen anonimë on line duhet të kuptojnë se gjurmët digjitale janë të pashlyeshme dhe nuk janë aq të padukshëm sa mendojnë. Veprimi i shpejtë dhe i fortë kundër autorëve të ngacmimeve në internet, veçanërisht kur anonimati përdoret si mburojë, dërgon mesazhin e duhur: akte të tilla do të përballen me forcën e ligjit. (Sektori krimit kibernetik ne polici dhe  prokurori duhet forcuar bashkë me legjislacionin në këtë fushë)Humbja tragjike e jetës së 41 vjeçares është një kujtesë se lufta kundër anonimatit dhe komenteve denigruese në internet nuk është sfidë teknologjike, por kërkesë morale e kohës.”

Moderatorja Arbana Osmani i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të mbyllë platformën e TikTok.

Tmerr, vrasësit e kohëve moderne kanë “armë”, tastierat, por janë gjithmonë vrasës. Mbylleni këtë dreq Tik Toku. Tani!”, shkruan Arbana Osmani.

Për ngjarjen ka reaguar edhe moderatorja Kiara Tito. “Ku po shkon kjo botë? E frikshme! Asnjëherë nuk mund ta dini, se në çfarë gjendje emocionale është dikush dhe se sa shumë mund të rëndohet kjo gjendje. Vetëm prej disa komenteve fyese. Jo çdo njeri e ka forcën t’i përballoj. Kini pak mëshirë o njerëz!” , shkruan ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA