Darka e ndërrimit të viteve shpeshherë karakterizohet nga teprimi me pijet alkoolike si rakia, vera, birra, shampanja etj.

Mjekët toksikologë na japin disa këshilla në mënyrë që festa të mos shndërrohet në fatkeqësi.

Alert Drishti, mjek toksikolog i QSUNT, thotë: “Duhet të kemi parasysh që alkooli është drogë, që ndikon drejtpërsëdrejti në sistemin nervor qendror dhe dëmton organizmin. Shumë njerëz thonë se nuk kanë konsumuar shumë alkool, por vetëm 3 apo 5 birra.”

“Një shishe birrë është baraz me një teke raki. Kështu që bëjini vetë llogaritë. Nuk duhet ngarë makina edhe nëse ke konsumuar një teke raki. Pasi në eufori e sipër kthehesh në burim aksidenti ku përfshihesh ti apo personat që udhëtojnë me ty. Si mjek toksikolog me një përvojë mbi 25 vjeçare në profesion, mund të them se para dy dekadash kemi patur edhe 360 raste njerëzish që vinin në urgjencë natën e vitit të ri. Vjet u regjistruan 120 raste. Ka një lloj ndërgjegjësimi”, tha mjeku.

“Ajo që vihet re është përzierja e alkoolit me kokainën. Njerëzit mendojnë se bëhen esëll me kokainën, por në fakt është si uji me orizin, shto ujë e shto oriz. Ajo kthehet në rrezik për organizmin. Këshilla ime, dhe mesazhi im është që alkooli dëmton shëndetin. Festa, lumturia arrihet edhe pa alkool”, këshillon ai.

Top Channel