Gazetarja Anila Hoxha në episodin e tretë të podkastit ”Fol me Anila Hoxhën”, ku u trajtuan aksidentet rrugore, ka intervistuar Ylber Dodën, i cili mbeti në një karrocë me rrota pas një aksidenti automobilistik në Klos.
Në podcast-in e qendrës “Fol”, me mbështetjen e ambasadës amerikane që u transmetua në Top Albania Radio tema ishte “Udhëto i sigurt”.
Ylber Doda, qytetari i cili nga një aksident automobilistik në Klos mbeti i gjymtuar ka rrëfyer vështirësitë me të cilat u përball pas atij momenti.
“Të dhënat janë tragjike , prej vitit 1992 kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në rrugë 8274 shtetas. Rreth 15 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur si dhe të gjymtuar. Të dhënat e policisë së shtetit tregojnë se 65 përqind e aksidenteve ndodhin nga faktori njerëzor”, thekson Hoxha.
Anila Hoxha: A mund të na thuash kur të ka ndodhur aksidenti?
Ylber Doda : Në 1995.
Anila Hoxha: Sa vjeç ishe?
Ylber Doda : 25 vjeç.
Anila Hoxha : Ishe ti drejtues automjeti apo ishe pasagjer?
Ylber Doda :Isha unë drejtues automjeti.
Anila Hoxha: Ishe vetëm ?
Ylber Doda: Jo, isha me shokë, bashkëfshatarë të mitë, komshinj të mitë. Ishim 7-8 veta në makinë. Ishim në Klos po ktheheshim në shtëpi.
Anila Hoxha: Vetëm ju mbetët i dëmtuar nga aksidenti?
Ylber Doda : Po, të tjerët fatmirësisht pa probleme.
Anila Hoxha: Çfarë ndodhi atë ditë ?
Ylber Doda : I kthehem por nuk dua ta kujtoj. Ishte fatkeqësi.
Anila Hoxha: Ku u përmende ? Në cilin spital?
Ylber Doda: Në Burrel.
Anila Hoxha: Sa qëndrove në spital?
Ylber Doda: Kam qëndruar gjatë. Mbi një mua, mesa më kujtohet. Situata u kuptua se nuk lëvizja. Nuk kisha ndjeshmëri në gjymtyrët e poshtme.
Anila Hoxha: I pyete doktorët?
Ylber Doda : Nuk më morën përsipër. I dëgjoja kur flisnin në dhomë, që mblidheshin bënin konsulta dhe në praninë time.
Anila Hoxha: Çfarë të thoshin ?
Ylber Doda: Duhet ta përballosh jetën edhe me këto ndryshime.
Anila Hoxha: Dole nga spitali. Cila ishte vështirësia jote e parë?
Ylber Doda: Mosrehabilimi me realitetin, të gjitha në çdo aspekt. Të jesh i pamundur të komandosh veten, gjithçka është e përmbysur.
Anila Hoxha: Të sollën në karrocë në ato momente? Apo fillimisht të morën në krahë?
Ylber Doda: Për të qenë të sinqertë, ma kanë dhënë një karrocë, gjysëm të prishur aty tek spitali. Kam dalë në krahë nga dhoma deri para spitalit. Aty më kanë prurë një ambulancë. Pastaj kam ndenjtur disa kohë shtrirë në shtëpi, pa dalë, pa lëvizur me këto kushte.
Anila Hoxha: Si ia dhe këtë fuqi vetes?
Ylber Doda: Fillova të dilja, përqark shtëpisë. Pjesën tjetër e kisha me çik siklet.
Anila Hoxha: Sa zgjati kjo situatë që ti nuk pajtoheshe me gjendjen tënde?
Ylber Doda: Disa vite, më kanë ardhur më kanë vizituar mjekë të fushës, miq të familjes , miq të mitë. Normalisht duhet të japësh kurajo vetes , duhet të përballosh realitetin , nga një njeri normal të kalosh në këtë gjendje të tillë është me plot kuptimin e fjalës një dramë.
Pasi mbeti me aftësi të kufizuara nga aksidenti rrugor, ai u përball me një seri të gjatë sfidash. Kur vendosi të dalë nga banesa, ai u përball me frikën më të madhe që i mbeti nga aksidenti, drejtimi i automjetit.
Anila Hoxha: Tregove që nise një betejë.
Ylber Doda: Për ata që e dinë, nga prilli ishin taksat e larta. Makina , sidomos dogana. Makinës së parë m”i bënë letrat. Pastaj mora një makinë që e përshtata për vete. Dilja vetë pa një shoqërues apo pjesëtar me vete. Nuk mi kanë bërë letrat, por përjashtimi nga dogana dhe si rrjedhojë vinte pastaj edhe kompensimi i karburantit dhe përjashtimi nga taksat. Taksat vjetore i kam bërë letrat si gjithë të tjerët, se nuk mi bënë . Më sorrollatën për 5 vite më dërgonin në Burrel , tek sigurimet shoqërore në Burrel, më përcillnin në Peshkopi. Peshkopia më niste për në Tiranë . 6 muaj deri në 1 vit letrat për të shkuar dhe kthenin përgjigje “mungesë dokumentacioni”. Skishte asnjë mungesë, asnjë diçka , kishte thjesht burokracinë e kohës. 5 vjet pastaj i bëra letrat, sikur kur i bënë të gjithë . U hoq dogana dhe i bëra unë me cmim referencë. Kështu kur u bëra me dokumentacion, nxorra targat dhe vazhdova të dilja me makinë normal.
Anila Hoxha: Po kjo beteja jote 5 vjeçare, të kompensuan?
Ylber Doda :Jo , çfarë kompensimi?! Absolutisht se kam 16 vjet që kam atë makinë dhe 10-11 vjet që e kam me letra . Vazhdova të kërkoj kompensimin e karburantit . Edhe kjo ishte një sorollatje ose që e merrnin bashkëvuajtësit e mi . Kam dërguar letra nëpër të gjithë institucionet që mendoja se mund të gjeja rrugëzgjidhje duke filluar nga presidenta, avokatë populli , ministra të çështjeve e punëve sociale të kohës, emrat e ministrave , tashti nuk e di . Edhe përgjigjja ishte “faleminderit për ankesën tuaj por do merremi ne me tani me këtë problem “. Muaj kalonin, vitet kalonin, asnjë përgjigje.
Anila Hoxha: Sa vite zgjati ?
Ylber Doda: Qysh se kam marrë këtë makinë tjetër. E kam kërkuar. 5 vjet sorollatje, nuk mi bënë letrat. Edhe 10 vite , ose më tepër mund të ketë , pasi ia kam bërë unë letrat . 1 vit ka që kam marrë kompensimin e karburantit.
Anila Hoxha : Pra, fitove para një viti?
Ylber Doda : Po.
Anila Hoxha: Që është me një faturë financiare. Çfarë vlere?
Ylber Doda : Sivjet e kanë rritur. Ka qenë 70-80 mijë lekë . E kanë çuar 100 mijë lekë të vjetra në muaj.
Anila Hoxha: Kaq të ofron shteti shqiptar ?
Ylber Doda: Absolutisht.
Anila Hoxha : Po ndihmë sociale ?
Ylber Doda : Normalisht që po. Paketa higjieno-sanitare , kujdestari që është familja, në rastin konkret. Të thuash që paguaj një kujdestar me 3 mijë lekë të vjetra në ditë apo 5 mijë lekë të vjetra në ditë, shërbimi jonë që është 24 orësh , nuk është shërbim 8 orësh , përderisa nuk lëviz kuptohet që është diçka jashtë realitetit dhe tepër qesharak.
Anila Hoxha: Çfarë iu thua kujtdo që kalon në rrugë si këmbësor, kujtdo që drejton automjetin si shofer , kujtdo që është pasagjer dhe nuk vendos rripin .Ai që pi një gotë alkool dhe pa u menduar jep makinës , atij që parakalon duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor , atij që udhëton mbi shpejtësi dhe po na ndjek në këto momente , atij që kalon me semafor të kuq, atij që nuk e ul shpejtësinë në një kthesë dhe atij që shkel çfarëdo lloj rregulli tjetër të qarkullimit rrugor që duket krejt i parëndësishëm por është shumë i rëndësishëm siç do rregull tjetër.
Ylber Doda: Është shumë i rëndësishëm, për të qenë i sinqertë rregullorja është shumë e thënë , jo nga unë kuptohet. Është e thënë që çdo tabelë është e shkruar nga gjaku i dikujt , ka ndodhur një aksident , pastaj është vendosur një tabelë që kufizim shpejtësie, qoftë paralajmërimet. Zbatimi i rregullores është gjithçka. Gjithsecili të paktën duhet të mendojë nëse ka momente dëshpërimi , nëse ka momente, dikush tjetër nuk ta ka pikërisht ti shkaktosh aksident . Ai tjetri që ruhet dhe që ecë në mënyrë normale nuk ta ka për borxh, ti shkaktosh aksident. Se normalisht shpejtësia e madhe mund ti biesh edhe tjetrit të pafajshëm dhe mund ta bësh në një situatë shumë të vështirë të jetës. Nuk di se çfarë të të them. Se përderisa , koha pas nuk kthehet. Gjithçka mund të bësh qoftë me lekun, qoftë me pozitën , qoftë me gjithçka mund të kesh në jetë, kohën nuk mund ta kthesh pas. Thjesht duhet me përballue jetën kështu siç të vjen.
Top Channel