Udhëheqësit e Izraelit alarmojnë komunitetin ndërkombëtar: Lufta do vazhdojë për shumë muaj të tjerë

28/12/2023 07:25

Gati 200 palestinezë u vranë dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën pas sulmeve ushtarake izraelite në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, tha të mërkurën ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Të paktën 20 persona u vranë pas sulmeve ajrore të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pranë spitalit Al-Amal në Khan Younis të mërkurën, ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë Gazën që nga 7 tetori është 21,110.

Numri në rritje vjen pasi shefi ushtarak izraelit Herzi Halevi tha të martën se lufta kundër Hamasit do të vazhdojë edhe për shumë muaj të tjerë dhe se IDF po i përqendron përpjekjet e saj në Rripin jugor të Gazës – Khan Younis, kampet qendrore dhe më tej.

Kjo deklaratë dhe shumë të tjera si këto nga udhëheqësit izraelitë, ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar.

Shqetësimet franceze: Në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti francez Emmanuel Macron shprehu shqetësimin e tij më të thellë për urgjencën absolute humanitare me të cilën përballet popullata civile e Gazës. “Macron theksoi gjithashtu nevojën për të punuar drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, me ndihmën e të gjithë partnerëve rajonalë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në një lexim të Pallatit Elysée.

Diplomacia amerikane: Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të udhëtojë në Izrael dhe të bëjë ndalesa shtesë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme për të diskutuar hapat e ardhshëm në luftën Izrael-Hamas, tha një zyrtar izraelit për CNN. Udhëtimi i tij i pritshëm vjen pasi zyrtarë të lartë të administratës Biden dhe një njeri i besuar i ngushtë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu  u takuan të martën në lidhje me fazën tjetër  të luftës.

Bisedimet rajonale: Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah El-Sisi dhe Mbreti Abdullah II i Jordanisë thanë se kundërshtojnë çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët pas një takimi në Kajro të mërkurën. Udhëheqësit kërkuan gjithashtu një armëpushim urgjent për të lejuar ndihmën e nevojshme humanitare, sipas një deklarate nga presidenca e Egjiptit.

Pengesat e ndihmës:  Një rezolutë e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së javën e kaluar që bëri thirrje për rritje të ndihmës për Gazën “ende nuk ka ndikim”, tha të mërkurën Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.  IDF ka pohuar se ka “kufizime logjistike” për marrjen e ndihmave në Gaza dhe i bëri thirrje “komunitetit ndërkombëtar të gjejë zgjidhje shtesë”, pasi organet globale paralajmërojnë për krizën humanitare në rritje.

Së fundmi një është publikuar një video që tregon burra palestinezë dhe të paktën dy fëmijë të arrestuar dhe zhveshur nga IDF në një stadium në  Gazën veriore . Video tregon dy djem të rinj, të zhveshur, duke ecur dhe duke mbajtur të dy duart lart ndërsa IDF i drejton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA