Pas rritjes së një dite më parë, çmimi i naftës pësoi sërish ulje në mesin e vëmendjes së shtuar të investitorëve për zhvillimet në Detin e Kuq.

Anijet tregtare janë rikthyer në zonë, pavarësisht sulmeve të së martës prej rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani, që kanë ngjallur frikë dhe pështjellim me goditjet e tyre të befasishme. Nafta e papërpunuar u shit së fundi me 79.65 dollarë për fuçi ndërsa cilësia më e ulët u shit me 74.11 dollarë fuçia.

Frymëmarrjen e tregjeve e mundësuan pohime si ai i kompanisë  daneze Maersk që njoftoi tani se ka planifikuar dërgesat me disa dhjetëra anije përmes Kanalit të Suezit dhe Detit të Kuq në javët e ardhshme, teksa më herët këtë muaj kishte bërë thirrje për një ndalim të përkohshëm pas sulmeve të Huthive në Jemen. Pas vendosjes së një force ushtarake shumëkombëshe në rajon, edhe kompania franceze CMA CGM njoftoi se po rifillonte transportin përmes Detit të Kuq.

“Mendoj se duhet të presim dhe të shohim nëse patrullimet e shtuara detare dhe ndryshimi i rrugës së anijeve do të çojnë në një rënie të sulmeve”, tha Callum Macpherson nga grupi i investimeve Investec. Mundësia e një fushate të zgjatur ushtarake izraelite në Rripin e Gazës mbetet nxitësi kryesor i tregut të naftës për momentin. Tel Avivi e ka pohuar në disa raste tashmë se konflikti do të vazhdojë “me muaj”.

Ndërkohë, ngarkesat e naftës në portin rus të Detit të Zi në Novorossiisk u pezulluan për shkak të një stuhie. Megjithatë, Ministria e Energjisë së Kazakistanit tha se terminali i Konsorciumit të Gazsjellësit Caspian (CPC) pranë portit ishte i hapur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA