Më 28 dhjetor 1856 në Staunton të shtetit Virginia u lind Thomas Woodrow Wilson, i cili do të bëhej presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara.
Shumë historianë e shohin atë si njërin nga presidentët më me ndikim të shekullit të 20-të.
Woodrow Wilson, siç njihej ai në përgjithësi, ishte diplomuar në drejtësi dhe kishte një doktoratë për shkenca politike. Ai kishte qenë rektor i Universitetit Princeton të Nju Xhersit dhe ishte zgjedhur guvernator i këtij shteti në vitin 1910.
Më 1912, ai u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Woodrow Wilson luftoi për reforma, kërkonte mbrojtjen e punëtorëve, forcimin e sistemit bankar dhe kufizimin e fuqisë së korporatave të mëdha.
Ai u përpoq t’i jepte fund Luftës së Parë Botërore, e cila kishte shpërthyer më 1914, dhe t’i mbante SHBA-të jashtë kësaj lufte. Në vitin 1917, me ngurrim, ai vendosi hyrjen e Amerikës në luftë. Kjo i ndihmoi aleatët të arrinin fitore në vitin 1918. Një vit më vonë, Woodrow Wilson u godit rëndë nga hemiplegjia, për të cilën disa thonë se u shkaktua nga kundërshtimi që ndeshën shumë nga propozimet e tij për paqe.
Dy vjetët e fundit të karrierës si president ai i kaloi si invalid dhe, sipas disa historianëve, punët e qeverisë pothuajse drejtoheshin nga gruaja e tij, Edith. Woodrow Wilson vdiq në vitin 1924, tri vjet pas largimit nga posti.
Top Channel