Ishin nisur për ekskursion me shkollën, por i shpëtuan mrekullisht vdekjes në tunelin Ca’ Gulino.
Mediet italiane raportojnë se fëmijët në autobusin e shkollës mbetën të gjithë të padëmtuar, pavarësisht impaktit të përplasjes “kokë më kokë” me ambulancën, e cila do të shpërthente në flakë duke u marrë jetën 4 personave.
Në autobus ndodheshin 47 pasagjerë, së bashku me fëmijët nga mosha 7 deri në 13 vjeç që shoqëroheshin nga një prift dhe katër seminaristë. Të gjithë arritën të dilnin nga tuneli menjëherë.
Në vendngjarje ka ndërhyrë menjëherë kryetari i bashkisë Urbino Maurizio Gambini, i cili ka ndihmuar fëmijët dhe ka qetësuar me telefon prindërit për gjendjen shëndetësore të fëmijëve të tyre. Kompania e transportit “Ascoli” ka dërguar menjëherë në vendngjarje një mjet tjetër me të cilin udhëtarët tani po kthehen në shtëpi.
Ndërkohë presidenti i rajonit Francesco Acquaroli u shpreh thellësisht i pikëlluar për aksidentin tragjik: “Një tragjedi që na trondit dhe lë pafjalë të gjithëve” – shkruan ai në rrjetet sociale. “Ngushëlloj familjet e viktimave dhe kolegëve në sistemin shëndetësor për dhimbjen”.
Katër persona vdiqën menjëherë dhe 7 u plagosën lehtë në aksidentin mes ambulancës së Kryqit të Kuq dhe një autobusit me fëmijë në tunelin Ca’ Gulino, përgjatë “bypass-it” midis Urbinos dhe Fermignano. Nga të plagosurit, 4 janë transportuar në spitalin e Pesaros (dy fëmijë dhe dy shoqërues), dhe tre në atë të Urbinos (2 fëmijë dhe një shoqërues). Mirëpo, lëndimet e tyre ishin të lehta saqë pas mjekimit u larguan nga spitali.
Top Channel