Protestat e opozitës që kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në Serbi, janë shoqëruar me përleshje të dhunshme.

Në Beograd, protesta e opozitës përfundoi në orët e vona të së dielës, dhe të paktën 35 protestues janë arrestuar me akuzën e përpjekjes për të sulmuar institucionet.

Për të shtatën ditë radhazi, “Serbia kundër dhunës”, grupi kryesor i opozitës, kishte organizuar një protestë antiqeveritare për të denoncuar mashtrimet e supozuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Mitingu, megjithatë, degjeneroi në një protestë të dhunshme , me mijëra demonstrues që u drejtuan bashkisë për ta sulmuar atë. Shumë u përpoqën të kalonin gardhet dhe të futeshin me forcë në ndërtesë. Disa punonjës policie u plagosën, dy në gjendje të rëndë, të goditur me gurë dhe sende të tjera.

Kundër demonstruesve të dhunshëm që prej kohësh kanë vënë në shënjestër bashkinë me breshëri vezësh, shishe plastike, domate dhe sende të tjera, policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë grupet e trazirave. Disa dyer hyrëse dhe disa dritare u shkatërruan. Në fund, forcat policore arritën të krijojnë një kordon oficerësh përreth bashkisë, duke i shtyrë demonstruesit përsëri në rrugët anësore dhe drejt sheshit Slavija.

Siç njoftoi në mbrëmje presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të paktën 35 demonstrues të dhunshëm u arrestuan me akuzën e tentativës për të sulmuar institucionet

Sipas kryetarit të bashkisë së Beogradit në largim, Aleksandar Sapiç , ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje në Beograd mund të krahasohet me kryengritjen e Maidanit të vitit 2014 në Kiev, e cila filloi me protestat antiqeveritare të fillimit të vitit 2014 në sheshin qendror të kryeqytetit ukrainas.

Për kryebashkiakun Sapiç, ato të së dielës në mbrëmje në Beograd ishin ngjarje të jashtëzakonshme të gravitetit ekstrem, duke pasur si objektiv sulmin e dhunshëm ndaj zyrave institucionale. Presidenti Vuçiç nga ana e tij paralajmëroi reagimin e ashpër të institucioneve ndaj atyre që teorizojnë dhe vënë në praktikë sjelljet e dhunshme.

FOTO GALERI
7/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA