Ashtu sikurse e do tradita e familjes së madhe të Top Channel, ne jemi drejtuar sot në ShënKoll të Lezhës ku ndodhemi në familjen e Pal Cekës, e cila do të na tregojë se si festohet Krishtlindja në familjen e tyre.
Zonja e shtëpisë, Kristina do të na tregojë çfarë ka përgatitur dhe se si festohet Krishtlindja me ushqime tradicionale.
“Pas meshës hahet mishi, hahet peshku, byreku. Ne përgatisim byrek tradicional shtëpie. Bukë të gatuar vetë. Arra, lajthi, bakllava, peshk, mish keci të pjekur në furrë, patate furre”- tha Kristina Ceka.
Një detaj interesant që ju më treguat ishte se pasi konsumoni darkën, e lini tavolinën të shtruar. Pse ndodh kjo veçori?
“Që të ketë sa më shumë bereqet dhe ta zërë e nesërmja me sa më shumë ushqim tavolinën”- u shpreh Kristina.
“Mirëseerdhët! Gëzime gjithmonë dhe më mirë në mot. Krishtlindjet janë dita më e madhe për popullin shqiptar sepse rrënjët tona, gjaku ynë i ka tek Krishtlindjet. Gëzimi më i madh për festa është familja. Familja duhet të jetë plotë. Pvarësisht se sot nuk mungon asgjë në tavolinë, ajo që mungon janë njerëzit që nuk i kemi të gjithë pranë”- tha Pal Ceka.
Nga kjo familje e mrekullueshme, kronika mbyllet me një trokitje gotash e shoqëruar nga një urim “Gëzuar”.
Top Channel