Mesazhi i Mitropolitit të Korçës Imzot Joanit për Krishtlindjet: Të gjejmë paqen brenda vetes dhe ta përhapim kudo ku ajo mungon

24/12/2023 12:56

Mitropoliti i Korçës Imzot Joanit ka përcjellë një mesazh për Krishtlindjet, me në fokus paqen.

Sipas tij paqja kohët e fundit është pakësuar si nëpërmjet individëve, ashtu dhe brenda familjes. Luftërat dhe konfliktet po e përgjakin planetin dhe po shtojnë vuajtjet dhe shkatërrimet. Sipas Imzot Joanit Krishtlindja na kujton të gjithëve se Perëndia është mes nesh dhe nuk braktis asnjë, por jep urtësi dhe kurajo për të përhapur tek të tjerët paqen dhe gëzimin.

“Se një djalë na lindi, dhe një Bir na u dha, dhe ai do të marrë qeverimin përsipër. Dhe do të quhet emri i tij, Engjëll i Këshillës së madhe, i Mrekullueshëm, i Fuqishëm, Atë i amëshuar, Princ i Paqes. (Is. 9:6-7). Me këto fjalë profeti Isaia paralajmëron Lindjen e Krishtit, Princit të paqes, i Cili erdhi për të rivendosur marrëdhënien tonë me Perëndinë, duke na mundësuar të rigjejmë paqen. Paqja është një dëshirë e zjarrtë e vendosur brenda nesh, e krijuar për të na treguar se i vetmi mjet për të arritur këtë paqe, vjen nga Ai që quhet Princi i Paqes, sepse Perëndia dëshiron që të gjithë njerëzit të jetojnë së bashku në paqe. Nëse është e mundur, për aq sa varet nga ju, jetoni në paqe me të gjithë – na porosit Apostulli (Rm. 12:18).

Në fillim të Liturgjisë Hyjnore në Kishën Orthodhokse, tre kërkesat e para i referohen temës madhore të paqes: Me paqe le t’i lutemi Zotit; Për paqen që lartazi; Për paqen e tërë botës. Pas përsëritjes së kërkesës për paqe edhe 18 herë të tjera, deri në lutjen e fundit: Fali paqe botës sate, Liturgjia Hyjnore përfundon me thirrjen: Me paqe le të shkojmë. Nga fillimi i Liturgjisë Hyjnore e deri në fund mbizotëron ideja e paqes. E përsërisim vazhdimisht rëndësinë e paqes dhe lutemi për të, sepse të jesh i krishterë do të thotë të jesh njeri i paqes dhe punëtor i saj. Asgjë nuk është më karakteristike për një të krishterë sesa të jetë një punëtor për paqen – shkruan Shën Vasili i Madh.

Por të krishterët, jo vetëm që luten për paqen dhe besojnë se Zoti e ka caktuar botën të jetojë në drejtësi dhe në paqe, por, për shkak të besimit të tyre, ata janë thirrur të jenë paqebërës aktivë. Ne nuk mund të ngurtësojmë zemrat tona, të mbyllim veshët dhe të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve, padrejtësive, luftërave dhe konflikteve dhe në të njëjtën kohë të jemi të krishterë. Shën Joan Gojarti thotë: Unë nuk besoj në shpëtimin e askujt që nuk shqetësohet për shpëtimin e tjetrit. Jisui kishte paqe të përsosur në zemrën e Tij, por Ai, gjithashtu, pati dhembshuri për njerëzit, që ishin si dele pa bari (Mk. 6:34). Vetë Zoti thotë: Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë (Mat. 5:9).

Paqebërës është ai, që sjell paqen e Krishtit në konfliktet njerëzore, paqe që nuk është ashtu siç e jep bota (Jn.14:27), Paqja që jep bota është e paqëndrueshme. Ajo varet nga vullneti njerëzor, që shpesh helmohet nga egoizmi dhe lakmia, nga emocionet e paqëndrueshme të njerëzve dhe nga interesat e tyre që ndryshojnë me shpejtësi. Ndërsa Paqja e Krishtit, Princit të paqes, themeluar në shkëmbin hyjnor të dashurisë, është e përjetshme. Ajo lind në zemrën e njeriut, pastaj përhapet jashtë dhe merr një dimension shoqëror.

Të jesh paqebërës nuk është mirë vetëm në nivelin etik, por është më tepër në nivelin ontologjik, po ashtu si të jesh i mirë. Duke mos qenë të mirë dhe paqësorë, është vetë qenia jonë ajo që gjymtohet. Paqebërës është ai që ka dashuri dhe sheh tek çdo njeri, kushdo qoftë ai, ikonën e Perëndisë dhe në zemrën e tij nuk ka urrejtje dhe armiqësi. Nëse nuk e shohim ikonën e Perëndisë në çdo qenie njerëzore në këtë jetë, nuk do të shohim Fytyrën e Zotit në jetën e ardhshme. Kërkoni paqen me të gjithë njerëzit dhe shenjtërinë, pa të cilën asnjë nuk do të shohë Zotin – shkruan Shën Pavli (Hebr. 12. 14).

Me keqardhje shohim se në kohën e sotme paqja është pakësuar, si ndërmjet individëve, ashtu edhe brenda familjes. Nuk ka as paqe sociale dhe nuk ka as paqe ndërmjet kombeve. Luftërat dhe konfliktet po e përgjakin planetin tonë dhe po shtojnë vuajtjet dhe shkatërrimet. Perëndia na kërkon të dëshmojmë dhe të punojnë për paqen. Ndonëse rruga për ta realizuar atë është e mundimshme dhe e vështirë, ne nuk jemi vetëm. Krishtlindja na kujton, përsëri dhe përsëri, se Perëndia është midis nesh dhe nuk do të na braktisë, por do të na japë urtësi dhe kurajë për ta ruajtur në veten tonë dhe për ta përhapur tek të tjerët paqen dhe gëzimin e Tij.

Paqja e Perëndisë është një dhuratë nga Ai dhe pjesë e hirit të Tij dhe, duke qenë një parashikim i Mbretërisë, është një mjekim kundër frikës dhe mbron mendjet dhe zemrat tona në kohë të trazuara dhe të paqëndrueshme. Vetëm Paqja qiellore mund ta largojë ankthin tonë tokësor. Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja me anë të Jisu Krishtit – thotë Apostulli (Fil. 4:7).

Të dashur vëllezër dhe motra! Lajmi se lindi Krishti, Princi i Paqes, është për ne. Ai është një lajm gëzuar dhe një thirrje për tu zgjuar. Zgjohu o njeri! Sepse ishte për ju që Perëndia u bë njeri. Ngrihuni dhe kuptoni se gjithçka ishte për ju – shkruan Shën Agustini. Prandaj, në këtë ditë të shenjtë të lindjes së Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, le të zgjohemi dhe le të ndërgjegjësohemi se Trupëzimi i Perëndi-njeriut bëri të mundur që paqja e Tij të bëhet e arritshme për të gjithë njerëzit. Le ta përjetojmë këtë paqe, së pari në zemrat tona dhe pastaj të përpiqemi ta përhapim kudo ku ajo mungon.

Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!

Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës”, shkruan Imzot Joani.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA