Kur një grup deputetësh të opozitës i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të pezullojë miratimin e marrëveshjes për emigrantët me Italinë, një kërkesë e ngjashme u depozitua edhe nga Lulzim Basha, në funksionin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Por, ndryshe nga kërkesa e deputetëve, e cila u mor parasysh dhe do të shqyrtohet pas gati 1 muaji, pra në datë 18 janar; padia e zotit Basha u rrëzua duke mos u kaluar në seancë plenare. Top Channel kishte paralajmëruar një lëvizje të tillë të Gjykatës Kushtetuese, kur mësoi se gjykata i kishte kërkuar PD-së zyrtare plotësimin e dokumentacionit që rezultoi se ishte firmosje më e qartë. Janë dy argumentet kryesorë që kanë dhënë gjyqtarët për të mos legjitimuar Partinë Demokratike me Lulzim Bashën si kërkues.
Së pari, se kërkesa e tij nuk lidhet drejtpërsëdrejti me një interes të prekur të kësaj partie e cila kërkoi shpalljen si antikushtetues së marrëveshjes Rama – Meloni pa patur firmat e nevojshme të deputetëve. Aktualisht, Basha ka rreth 10 deputetë që e mbështesin, ndërsa për të depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese duhen të paktën firmat e 28 deputetëve. Së dyti, Gjykata sjell në vëmendje se në rastin e marrëveshjes së detit, kërkesa u depozitua nga kryetari i PS, por shembulli nuk ngjason.
“Në atë rast, Gjykata legjitimoi partinë politike parlamentare ne kontekstin e një situate të veçantë institucionale që lidhej me procedurat në zhvillim e sipër te konstituimit të legjislaturës së re parlamentare dhe verifikimit te mandateve te reja te deputeteve”, sqaron Gjykata Kushtetuese, duke rrëzuar kërkesën e “Lulzim Bashës për të qenë palë në gjykimin e marrëveshjes së detit”.
Marrëveshja me Italinë u pezullua pasi Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e firmosur nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha. Gjyqtarët e Kushtetueses vlerësuan si të ligjshme kërkesën e opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi. Në padinë e tyre grupi i deputetëve Bardhi-Berisha kërkuan pezullimin e miratimit, si hap i parë dhe më pas shfuqizimin si antikushtetues të marrëveshjes Rama-Meloni për pritjen në Shqipëri të emigrantëve të huaj, që kapen në detin Mesdhe.
Sipas opozitës, marrëveshja ka disa shkelje kushtetuese, por dy janë kryesore. Së pari, kryeministri nuk ka marrë autorizim nga Presidenti për t’i dhënë Italisë në përdorim territor shqiptar. Deputetët e opozitës arsyetojnë se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2010-ën për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, qeveria nuk mund të negociojë për një marrëveshje me një shtet tjetër për çështje ku përfshihet territori, nëse më parë nuk merr autorizim nga presidenti.
Argumenti tjetër kryesor është çështja e shkeljes së të drejtave të njeriut në territorin e Shqipërisë. Duke qenë se marrëveshja detyron mbajtjen të mbyllur në kamp të emigrantëve, deputetët e opozitës arsyetojnë në kërkesën e tyre për gjykatën kushtetuese se kjo bie ndesh me disa konventa ndërkombëtare për trajtimin me dinjitet të emigrantëve.
Top Channel