Në Serbi po zhvillohen sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. 

Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund të votojnë deri në ora në 20:00. Kjo e drejtë u rezervohet dhe serbëve të Kosovës të cilët janë dyndur në stacionet e autobusëve dhe në mënyrë të organizuar janë nisur nga Veriu i Kosovës drejt Serbisë.

Serbët do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë pasi qeveria e Kosovës nuk pranoi mbajtjen e këtij procesi në territor kosovar, ndryshe nga sa ka ndodhur deri në vitin 2020 kur serbët votonin dhe  misioni i OSBE grumbullonte votat dhe ato  numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare me Kosovën.

Zgjedhje ka sot edhe në jug të Serbisë ku jetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të cilët po garojnë të përfaqësuear me dy lista: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” e deputetit Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, e udhëhequr nga Shqipërim Arifi.

Legjislaturën e fundit, Shaip Kamberi ka qenë përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në Serbi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

Disa sondazhe e nxjerrin partinë e Vuçiçit si fituese të zgjedhjeve, të dytët koalicionin e partive opozitare, dhe të tretin, Partinë Socialiste të ish-ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiç.

Procesi i dytë në 18 muaj u nxit prej zemërimit në Serbi që shkaktuan disa incidente me armë zjarri dhe viktima dhe presionit opozitar të cilit iu dorëzua presidenti Vuçiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA