Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, i hodhi poshtë si të pakuptimta komentet e Presidentit Joe Biden se Rusia do të sulmonte një vend të NATO-s nëse do të fitonte luftën në Ukrainë. Shefi i Kremlinit tha se Rusia nuk kishte asnjë interes për të luftuar me aleancën ushtarake perëndimore.

Agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin që nga kriza e vendosjes së raketave ruse në Kubë në vitin 1962. Presidenti Biden paralajmëroi vitin e kaluar se një konfrontim i drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë do të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore.

Gjatë një fjalimi në fillim të këtij muaji, drejtuar republikanëve për të mos e bllokuar ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën, Presidenti Biden paralajmëroi se nëse Rusia do ta mposhte Ukrainën, atëherë udhëheqësi rus, nuk do të ndalej, por do të sulmonte një vend të NATO-s.

“Është absurditet i plotë dhe unë mendoj se Presidenti Biden e kupton këtë”, tha zoti Putin në një intervistë të botuar të dielën nga televizioni shtetëror Rossiya, duke shtuar se zoti Biden dukej se po përpiqej të justifikonte “politikën e tij të gabuar” ndaj Rusisë.

“Rusia nuk ka asnjë arsye, asnjë interes – asnjë interes gjeopolitik, as ekonomik, politik apo ushtarak – për të luftuar me vendet e NATO-s”, tha Presidenti Putin.

Aleanca e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, u themelua në vitin 1949 për të ofruar siguri kundër Bashkimit Sovjetik. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, aleanca perëndimore u zgjerua duke përfshirë disa vende që kanë qenë nën sferën sovjetike dhe anëtare të Traktatit të Varshavës.

Udhëheqësi rus e ka cilësuar vazhdimisht zgjerimin e NATO-s pas Luftës së Ftohtë si dëshmi të qëndrimit arrogant të Perëndimit lidhur me shqetësimet ruse për sigurinë.

Në bazë të nenit 5 të traktatit të NATO-s “një sulm i armatosur kundër një ose më shumë vendeve në Evropë ose Amerikën e Veriut, konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve”.

Presidenti Putin tha se anëtarësimi i Finlandës në NATO në prill do ta detyrojë Moskën që të “përqendrojë disa njësi ushtarake” në Rusinë veriore pranë kufirit me Finlandën./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA