Mashtronin të huaj për investim në bursa fiktive, në pranga 2 administratorë të call center, nën hetim 7 operatorë

15/12/2023 12:09

Dy administratorë të një call center-i në Tiranë ranë në pranga ndërsa 7 operatorë janë nën hetim, për mashtrim.

Këta persona mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.

Bëhet fjalë për Saimir Blini, 33 vjeç, Martin Baçi, 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Blini dhe Baçi kishin në administrim një call center në Rrugën e Barrikadave, në të cilin ishin të punësuar 7 operatorët. Ata  telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar ‘Trading’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 njësi kompjuterike, një USB, dhe celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel