Abuzim me tenderin/ SPAK kërkon 3.6 vite burg për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, shpall pretencën edhe për zyrtarët e tjerë

15/12/2023 10:59

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka shpallur pretencën për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, për të cilin kërkon 3.6 vite burg.

Me aplikim të gjykimit të shkurtuar, për Allën mbeten 2.4 vite burg, raporton gazetarja Anila Hoxha.

SPAK kërkon 4 vite heqje lirie për Erion Isakun dhe Rasim Dacin (2.8 vite me gjykim të shkurtuar), 3 vite burg për Enkelejda Lleshin (me gjykim të shkurtuar, 2 vite burg), 2.3 vite burgim për Aqif Koneshën (1.5 vite me gjykim të shkurtuar), nga dy vite për Rubin Kolën, Arsen Gjokën, Kujtim Zogun e Leonard Daçin (me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, 1.4 vite burg) si dhe 1.9 vite burg për Dali Gazidedjën (1.2 vite me gjykim të shkurtuar).

Ndaj Lefter Allës, rëndon akuza “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” rëndon ndaj Enkeleda Lleshit, Rubin Kolës, Arsen Gjokës, Leonard Daçit, Kujtim Zogut dhe Denis Xholit.

Erion Isaku akuzohet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Për falsifikimin e dokumenteve kanë bashkëpunuar Rasim Daci, Aqif Konesha, Ana Nishku, Dali Gazidedja dhe Kastriot Ibrahimaj.

SPAK ka provuar se Alla dhe nëpunësit e tjerë të Bashkisë Bulqizë kanë abuzuar me tenderin “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”. Tenderi kapte vlerën e 322 milionë e 439 mijë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA