54 kg kanabis, dy shqiptarë 48 dhe 58 vjeç të arrestuar është bilanci i një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes prej anti drogës së Selanikut.
Sipas departamentit të anti drogës së Selanikut, dy shtetas shqiptarë, Oltion Ranxha banues në Selanik dhe Fatmir Alizoti banues në Elbasan, u ndaluan një një parkim kamionash në zonën Dhiavata ku pas informacioneve të marra në rrugë operative,u gjet brenda disa bidonëve plastikë sasia e lëndës narkotike kanabis sativa.
Droga u kap në kamionin me targa shqiptare AB 734JT i markës Scania.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën 2350 euro, 259 gramë kokainë, 3 peshore elektronike si dhe u sekuestruan një kamion, një autoveturë dhe një motoçikletë që përdoreshin për trafikimin e lëndës narkotike.
Nga verifikimet rezultoi se 58 vjeçari ishte në kërkim policor pasi ishte dënuar në mungesë me 5 vjet burg dhe 10.000 euro gjobë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Policia sqaron se lënda narkotike kishte hyrë nga Shqipëria dhe kishte destinacion piacën e narkotikëve të Selanikut.
Dy të arrestuarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie ndërsa hetimet do të vazhdohen nga departamenti i anti drogës së Selanikut me qëllim zbardhjen e plotë së skemës së trafikimit të kësaj organizate.
Top Channel