Sot u mbajt seanca e radhës në GJKKO për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen ‘Gërdeci’.
Në ambientet e GJKKO, në seancën që zgjati rreth tre orë ishte i pranishëm ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili është nën gjykim për shpërdorim detyre. Ai ishte i shoqëruar me njërin nga avokatët, Henrik Ligori.
Ish-ministri Mediu tha se ka kërkuar që të dalë e vërteta dhe se do të jetë i pranishëm në çdo seancë.
“Dua të dalë e vërteta. U provua se kam vepruar në respekt të ligjit, për detyrimet e BE dhe të plotësimit të akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile dhe ato ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri i Mbrojtjes. Do të jem i pranishëm në çdo seancë”-tha Mediu para gazetarëve.
Anila Hoxha raporton për Top Channel se sot ishin thirrur për të dëshmuar 7 dëshmitarë për Gërdecin. Sot dëshmoi ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, i cili ka ka mohuar shënimin “Për Shkëlzenin”.
“Nuk ka asnjë shkresë të nisur nga unë për “z. Shkëlzen Berisha”. Asnjë fax, asnjëherë për asnjë rast nuk kam nisur. E kam mësuar nga mediat edhe faxin që e kishte nisur drejtoria përkatëse për efekt shpejtësie në përgjigje e procedura. Kur e kam mësuar, kam qenë larguar si ministër i drejtësisë”-deklaroi ish-ministri.
I pyetur nga gazetarët për marrëdhënien e tij me Shkëlzen Berishën, Bumçi pranoi njohjen po tha se ka diskutuar vetëm për fushatë elektorale.
“Sa i takon marrëdhënies me Shkëlzen Berishën, patjetër që njihemi, mund të them se nuk ka qenë diçka miqësore por politike. Mund të ketë ardhur dy herë në zyrën time dhe ka qenë periudhë fushate elektorale. Diskutimet me të kanë qenë vetëm të këtij formati, politike e fushate. Berisha nuk punonte në Ministrinë e Mbrojtjes, ç’duhej emri i tij në shkresë. Kam bërë kallëzim penal që në 2008 për këtë çështje, ai nuk është shkrimi im, ende nuk di çka bërë Prokuroria e Tiranës me hetimet. Kallëzimin e kam bërë për dëshmi të rremë dhe falsifikim. Emrin e përfolur të Shkëlzen Medanit, nuk e njoh, kam mësuar se dikush me emër të tillë punonte në atë kohë në Ministrinë e Mbrojtjes”.
Alma Zili, ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi ka deklaruar se nuk ka qenë në punë kur është dërguar faksi me mbishkrimin ‘Për Shkëlzen Berishën’, nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes.
“Ministria kishte një aparat faksi, i cili përdorej për të përcjellë fakse, në rast se kishte. Nuk kujtoj të jetë shënuar emri i Shkëlzenit në bllokun e shënimeve, ku mbanim shënim orare të takimeve të ndryshme. Kur është dërguar faksi nga Ministria e Drejtësisë drejt Ministrisë së Mbrojtjes, unë nuk kam qenë fizikisht në punë. Dokumentin për faksin e kam parë përmes mediave. Ne thjesht na kërkohej të nisnim një faks drejt një institucioni të caktuar. Asnjëherë nuk më është kërkuar të komunikoj me Fatmir Mediun”-deklaroi Zili.
Veç tyre dëshmoi edhe Plarent Rruka, ish-këshilltari ligjor i Fatmir Mediut.
“Raportet e ministrit me ushtarakët ishin korrekte dhe me respekt që rridhte natyrshëm. Urdhrat e ministrit dilnin në përputhje me VKM 138. Demontimi ishte një prioritet si kush për tu anëtarësuar në NATO. Procesi ishte urdhëruar të bëhej në mbikëqyrje ushtarake. Kompania SAC e cila do të bënte demontimin kishte praktike edhe në Amerikë, ndaj prezumohej e licencuar atje. Patric Henry e kam takuar vetëm në prezantimin e mundësive demontuese në zyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.”
Shkëlzen Berisha, i cili ishte thirrur për të dëshmuar, nuk u paraqit dhe nuk u gjet në banesë nga policia gjyqësore Sipas prokurorit, në dëshminë e parë Shkëlzen Berisha ka dhënë një tjetër adresë banese, ndërsa tashmë ka ndryshuar vendndodhje. Ndërkohë do të dërgohet kërkesa në adresën e banesës, për tu marrë në pyetje në seancën e radhës.
Seanca u shty për datën 27 dhjetor, në orën 09.00.
Top Channel