Një ditë pas samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama foli në një konferencë për shtyp për rrugëtimin e Shqipërisë drejt unionit.
Duke u ndalur te qëndrimi i Athinës zyrtare se nuk do të mbështesë integrimin e Shqipërisë pa u zgjidhur çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, kryeministri u shpreh se kjo pengesë është e paarsyeshme dhe me frymë joevropiane.
“Është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh krijojnë eksportimet e mosmarrëveshjeve bilaterale mes vendeve në tryezën e BE. Ka një sensibilizim të lartë nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar evropiane për mënyrën si çështjet bilateriale të eksportuara nga një vend anëtar krijojnë pengesa të arsyeshme. Është e pakuptueshme që në një proces integrimi një vend hyn në negociata, në një fazë përfundimtare të shtetbërjes evropiane, duke përfituar nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet, sepse ka një çështje bilaterale. Kjo pengesë është e paarsyeshme dhe joevropiane në frymë. Rastet dhe historitë kanë qenë shumë, nuk është rastësi që të gjitha këto raste vijnë nga zona e Ballkanit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, për çështje që s’prekin ndonjë aspekt që prekin parimet e BE-së”.
Rama tha se në samit nënvizoi faktin se kjo është një çështje që i përket dy vendeve dhe nuk ka lidhje me procesin e negociatave.
“Kam nënvizuar se kjo është çështje mes nesh, duhet ta trajtojmë nesh, në të gjitha rastet është një çështje që përsa na takon, nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies sonë me Greqinë, që është një vend fqinj, me të cilën duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë dhe të thellojmë miqësinë, duke bërë gjithçka na takon”.
Ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE, tha kreu i qeverisë.
“Shqipëria duhet, mund dhe do të bëhet Evropa e Ballkanit. I ka të gjitha ato që i duhen. Transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne”.
Kryeministri u shpreh i bindur se ky ngërç nuk do ta pengojë vendin tonë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
“Mbetem i bindjes se kapërcehet apo jo ky ngërç, Shqipëria nuk vonohet asnjë ditë, sepse ne do të vazhdojmë dhe do të bëjmë detyrat tona”.
Top Channel