Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në fshatin Prush të Tiranës.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, njofton se sipas të dhënave paraprake tre persona kanë tentuar të vjedhin me armë një banesë.

Ata kanë qenë të pajisur me armë dhe kanë hyrë për të grabitur banesën 2 të moshuarve, duke iu prezantuar atyre si policia. Më pas të moshuarit kanë bërtitur dhe fqinjët njoftuan policinë.

Në momentin që uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes pas denoncimit, autorët kanë hapur zjarr ndaj tyre. Ndërkohë kanë reaguar edhe policia, duke shkaktuar shkëmbim zjarri mes të dyja palëve.

Nuk ka të lënduar nga të dyja palët, por autorët ende të paidentifikuar kanë mundur të largohen me një mjet tip “Audi” të bardhë.

Policia është në ndjekje të tyre, ndërsa ende nuk dihet saktësisht se sa persona janë të përfshirë në krim.

Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur dhe në një fshat tjetër të Tiranës, ku gjatë mbrëmjes së djeshme pranë një karburanti. Gjatë asaj grabitjeje autorët kanë arritur të marrin xhiron ditore.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 09.12.2023, rreth orës 19:13, në fshatin Prush, përballë ambulancës, në banesën e shtetasit G. H., janë futur disa persona, të armatosur.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, dhe në momentin që janë afruar afër banesës, tre personat e armatosur, kanë qëlluar me armë ndaj tyre. Policia është përgjigjur me armë ndaj tyre.

Shërbimet e DVP Tiranë, RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, po vijojnë krehjen e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

 

Top Channel