Marrëveshja e Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare premton të kontrollojë fuqinë e inteligjencës artificiale që dominon në rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit në rrjet.

Masa raportohet se është ligji i parë i plotë në botë për kontrollin e “AI” inteligjencës artificiale, që u miratua në një maratonë 37-orëshe negocjatash mes PE dhe vendeve anëtare.

Arritja përshkruhej si “historike” nga komisioneri Thierry Breton, i cili tha se do të zbatohet në përdorimin e rrjeteve sociale, mënyrës së kërkimit në internet, dhe në rrjete të tjera si X, TikTok e Google.

Breton tha 100 persona diskutuan për tre ditë marrëveshjen, duke thënë se ia vlente barra mundimin për një arritje historike.

Carme Artigas, sekretarja spanjolle për Inteligjencën artificiale AI, negocjatore kryesore, tha se Franca e Gjermania mbështesnin tekstin, teksa kompanitë e teknologjisë kërkonin qasje më të butë ndaj kufizimeve, me argumentimin për të promovuar “inovacionin”.

Marrëveshja vendos BE përpara SHBA, Kinës e Britanisë në garën e kufizimit të AI pas rreziqeve ndaj jetës së njeriut, që shumë besojnë se vijnë me zhvillimin e teknologjive autonome, shkruan rrjeti britanik TheGuardian.

Negocjatat duket se nuk kanë përfunduar për disa aspekte delikate të përdorimit të inteligjencës artificiale që mund të përdoren ose abuzohen nga policia, punëdhënësit apo rrjetet e shitjeve si filmimi i personave dhe publikut apo njohja e gjendjes emocionale të personave dhe shfrytëzimi i saj për arsye biznesi.

Breton tha se Parlamenti Evropian ka siguruar ndalimin e mbikëqyrjes në kohë reale dhe të teknologjive biometrike si njohja emocionale, me disa përjashtime.

Këto të fundit të njohura si “teknologji invazive” mund të përdoren nga autoritetet në raste kërcënimi terrorist apo të kërkimit të viktimave të krimeve serioze.

Eurodeputeti rumun Dragoș Tudorache, i cili ka qenë në krye të betejës katër-vjetore për kontrollin e inteligjencës artificiale tha se kërkohet garancia që autoritete të pavarura të japin leje për përdorimin e “teknikave parashkuese e parandaluese të teknologjisë”, për të ndaluar abuzimin nga policia.

Tudorache tha: “Ne nuk kërkojmë t’i mohojmë policisë mjetet e luftës ndaj krimit, mashtrimit e vjedhjes, por kërkuam dhe arritëm ndalimin e teknologjisë që supozohet se parashikon ose paracakton dikë që mund të kryejë një krim.”

Më parë ai ishte ankuar se gjigantë të teknologjisë si Facebook lejohen të rriten në korporata miliardere pa detyrime për kontrollin e përmbajtjeve të tyre.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA