Sot gjyqi i Belerit, akuzohet se bleu vota në zgjedhjet e 14 Majit/ Ambasadorja greke ndjek nga afër çështjen

05/12/2023 15:38

Gjyqi për Fredi Belerin mbahet sot, ndërsa ambasadorja greke ka mbërritur në SPAK për të ndjekur çështjen.

Konstantina Kamitsi po ndjek nga afër seancën për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Ambasadorja po monitoron procesin ndaj Fredi Belerit, jo vetëm këtë penal për akuzat e korrupsionit në zgjedhje, por edhe një seancë tjetër të hapur prej tij, në të cilën kërkon t’i jepet leje nga SPAK të betohet për marrë mandatin në Bashkinë e Himarës.

Seanca e ditës së sotme e vendosur nga gjyqtari Erion Çela, të mbahet në orën 15:00, parashikohet që të dëgjohet dëshmitari Avdyl Rama i cili është vëllai i Arsen Ramës, një bashkëpunëtor i drejtësisë, që ka zbuluar skemën se si u paguan eurot për të blerë votat nga disa qytetarë.

Megjithëse seanca e parë u shty sepse nuk u gjet dëshmitari Avdyl Rama, pritet që sërish që ky ai të mos paraqitet, pasi Policia e Vlorës nuk e ka gjetur. Pas vëzhgimeve të bëra në sistemin TIMS, rezulton se Avdyl Rama ka dalë jashtë Shqipërisë.

Do të duhet fillimisht që gjyqtari të dëgjojë prokurorët e çështjes të cilët do të vendosin për radhën e marrjes së provave, nëse do të lexohet dëshmia e Avdyl Ramës apo do të kërkohet sërish të sillet në seancën gjyqësore.

Ky proces nuk monitorohet vetëm nga Ambasada greke në Tiranë dhe përfaqësuesit e saj, por gjithashtu edhe nga mediat greke dhe qytetarët e Himarës, shumica e të cilëve dëshmitarë të kërkuar nga mbrojtja.

Prokuroria e Posaçme do të vendosë radhën e vijimit të seancës, ndërkohë që mund të pyeten dëshmitarët e mbrojtjes por edhe të pandehurit, Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi, të dy të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet lokale të majit të këtij viti.

Ndërkohë Fredi Beleri gjatë këtyre seancave të monitoruara nga pala diplomatike e Greqisë këmbëngul që arrestimi i tij është politik dhe se po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë.

SPAK e ka kundërshtuar këtë qëndrim, për këtë arsye vazhdon të refuzojë dhe kundërshtojë betimin e Fredi Belerit për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës.

Fredi Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pasi akuzohet për shitblerje votash. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit.

Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri. Në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së, Greqia ka dorëzuar një deklaratë me shkrim në të cilën thekson se çështja e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës do të jetë kusht për të ardhmen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA