Një komentues i njohur në rrjetin YouTube është burgosur sot për gjashtë muaj në SHBA për përplasjen e qëllimshme të avionit të tij me qëllim të shtonte audiencën në rrjet, teksa më pas u kishte gënjyer hetuesve.
30 vjeçari Trevor Jacob, postoi në rrjet videon e aksidentit në dhjetor 2021, duke lënë të kuptohet se ishte një ‘aksident’.
Por ai ishte hedhur nga avioni me celularin në dorë duke bërë ‘selfie’ në ajër, ndërsa me vone hapi parashutën dhe u ul në tokë.
Pamjet kanë marrë miliona shikime.
Në marrëveshjen e pranimit të fajit, Jacob tha se kishte filmuar videon si pjesë e një kontrate sponsorizimi.
Ish-sportisti skiator, pranoi së fundmi shkeljen e shkatërrimit dhe rrezikimit të pronës si dhe fshehjen e provave në një hetim federal.
Prokurorët në Kaliforni thanë dje se Jacob “kreu këtë shkelje për të gjeneruar vëmendje mediatike të vetja, si dhe për fitime financiare”.
“Por kjo lloj sjelljeje e papërmbajtur dhe e rrezikshme nuk mund të tolerohet”, shtonin ata.
Ndërsa vetë Jacob tha në deklaratë se “eksperienca me ligjin kishte qenë përulëse dhe turpëruese” ndërsa përshkruante dënimin e tij si “i drejtë”.
Në nëntor 2021, Jacob u ngrit nga aeroporti i Santa Barbara, Kaliforni në një fluturim ‘solo’ me kamera të montuara në avion. Ai kishte gjithashtu me vete një parashutë dhe kameran për të bërë selfie.
Por prokurorët thanë se ai nuk kishte si qëllim të mbërrinte në destinacion, “por të hidhej nga avioni duke xhiruar pamjet, teksa mjeti binte dhe përplasej përtokë”.
Avioni i tij u rrëzua në pyllin Los Padres 35 minuta pas ngritjes dhe Jacob eci më pas drejt vendndodhjes për të marrë kamerat me pamjet.
Më pas ai ngarkoi në rrjetin YouTube videon me titull “Përplasa avionin tim” ku kishte dhe një promocion për një kompani prodhuese portofolësh për meshkuj.
Dhe në fakt disa komentues kishin dyshime për “aksidentin” duke vërejtuar se Jacob mbante veshur parashutën dhe nuk kishte si qëllim të ulte rregullisht avionin.
Video e tij mori tre milionë klikime para se të hiqej nga rrjeti.
Top Channel