Në tabloidet e Beogradit që janë afër regjimit të Vuçiçit, si dhe në mediat të tjera proruse dhe ruse në Serbi në mes të fushatës zgjedhore, vërehet një përqëndrim i madh tek Kosova, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi si dhe zhvillimet në Ukrainë, të cilat ndiqen më së shumti për të nënvizuar “sukseset” e Rusisë.
Kështu pohon gazetarja boshnjako-kroate Djenana Karup Drushko, e cituar nga mediat në Kosovë. Ajo thotë se nuk ka dyshim se zgjidhja e konfliktit në Ukrainë është e rëndësishme për Serbinë dhe Vuçiçin, dhe si pjesë e mbështetjes për “presidentin dhe progresistët”, përcillen edhe deklaratat e Milorad Dodik për krijimin e një shteti kombëtar serb në Ballkan, më saktë në zonën e Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Gazetarja përmend edhe ngjarjet në Kosovë.
“Padyshim, nuk duhet të harrojmë Kosovën: bashkimi i komunave serbe, për të cilin këmbëngul i gjithë Perëndimi demokratik (dhe Rusia), do të nënkuptojë fillimin e fundit të atij vendi që as u lejua të njihej”, shkruan ajo.
Gazetarja shtron më tej pyetjen nëse Ballkani, pas Ukrainës dhe Lindjes së Mesme, do të bëhet vatra e re, e madhe dhe e nxehtë e konfliktit.
“Liderët serbë në Ballkan nuk e fshehin faktin se presin “ndryshime gjeopolitike” dhe “forcimin e miqve të tyre” për të rrumbullakosur çështjen kombëtare serbe.
Ajo sjell si shembull këtu edhe regjistrimin e popullsisë që filloi në Malin e Zi, dukë thënë se “përshtatet në mënyrë të përkryer me gjithçka falë pyetjeve për kombësinë dhe gjuhën, edhe pse agjencia europiane e statistikave Eurostat rekomandoi të mos shkohet tek ceshtja e kombësisë, dhe që tani është shndërruar në një çështje politike me rëndësi vendimtare për të ardhmen e Malit të Zi”.
Top Channel