Propozimi i deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe për aplikimin e lejes menstruale për gratë dhe vajzat në vendin tonë ka shkaktuar debat publik.

Në sondazhin e Top Channel shumica e shqiptarëve e mendojnë si të drejtë këtë propozim të deputetit Braçe.

51.72% e tyre kanë votuar opsionin Po, 36.11% opsionin Jo, kurse 12.16% kanë zgjedhur opsionin Nuk e di.

Për të sjellë një panoramë më të qartë se çfarë mendojnë qytetarët, më poshtë u kemi drejtuar mikrofonin e Top Channel qytetarëve të grupmoshave të ndryshme. Mendimet janë nga më të ndryshmet. Skepticizmi ndaj propozimit gjithashtu. Madje kishte dhe nga ata qytetarë që pyetja u dukej e pavend për gruan që mban në krah.

“Nuk di ta them duhet kohë ta mendoj faktikisht, sepse është dicka që ka lidhje me riprodhimin, jetën”.

“Besoj se është propozim i duhur”, bie dakord një tjetër qytetar.

“Njerëzit duhet të mësohen se kjo është një pjesë normale, fiziologjike, integrale sikurse çdo tjetër”.

“Mendoj se ka gjëra më të rëndësishme se kaq”.

Duhet parë se si do të jetë më konkretisht, sepse janë shumë biznese si puna e fasonerive që do ta kenë shumë të vështirë implementimin nëse kjo realizohet”.

“Në këtë kohë gratë lodhen më shumë se sa atëherë, mendimi i Braçes më duket i drejtë dhe duhet të vihet në jetë”, ishin disa nga mendimet që ndanë qytetarët për mikrofonin e Top Channel.

Kujtojmë se leja menstruale aplikohet vetëm në një numër të vogël vendesh, përfshirë Japoninë, Tajvanin, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Zambinë, ndërsa në gusht të vitit 2018, Skocia ishte shteti i parë në botë që vendosi të ofrojë falas produkte të higjienës vetjake për të gjithë nxënësit në shkolla fillore, gjimnaze dhe universitete.

Por ka disa kompani në mbarë botën që aplikojnë “leje menstruale”. Punonjëset të cilat përjetojnë simptoma të dhimbshme menstruale ose të menopauzës, u ofrohet një numër i caktuar ditësh pushimi me pagesë çdo vit, përveç pushimeve me pagesë. Pushimi menstrual ka ekzistuar në forma të ndryshme në mbarë botën për të paktën një shekull.

Bashkimi Sovjetik prezantoi një politikë kombëtare në 1922, Japonia në 1947 dhe Indonezia në 1948. Por është ende e rrallë në shumë ekonomi të mëdha globale, duke përfshirë SHBA-në. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë kompani në mbarë botën kanë filluar të përkrahin idenë e lejes menstruale.

*Vox Pope/ Pamela Dervishi

Top Channel